Foto-ilustrim| Foto: Atdhe Mulla

Udhëzimi për Homologim në Kundërshtim me Ligjin e Konkurrencës

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka gjetur se disa nene të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Infrastrukturës për Përcaktimin e Kushteve dhe Procedurave për Homologim të Mjeteve Rrugore, i nxjerrë për konsultim publik më 23 nëntor 2017 bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Në mbledhjen e Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës u vendos që të atakohet draft-Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Infrastrukturës për Përcaktimin e Kushteve dhe Procedurave për Homologim të Mjeteve Rrugore.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës gjatë analizimit të draft-Udhëzimi Administrativ (MI) Nr. Xx/2017 për Përcaktimin e Kushteve dhe Procedurave për Homologim të Mjeteve Rrugore vëren se neni 3 paragrafi 2, neni 6, 7 dhe 20, paragrafi 2 dhe 3 bien ndesh me Ligjin Nr. 03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës, konkretisht me nenin 2, nenin 4 paragrafin 1.1, 1.2 dhe 1.4”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Në nenin 2 të Ligjit për Mbrojtjen e konkurrencës thuhet se “ky ligj zbatohet për të gjitha format e parandalimit, kufizimit ose keqpërdorimit të konkurrencës nga ndërmarrjet në territorin e Kosovës”, ndërsa neni katër ndalon marrëveshjen mes dy kompanive për çrregulim të konkurrencës.

Gjithashtu Autoriteti Kosovar i Konkurrencës rekomandon Ministrinë e Infrastrukturës që ta rishikojë dhe ta bëjë plotësim- ndryshimin e dispozitave në Draft-Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Infrastrukturës për Përcaktimin e Kushteve dhe Procedurave për Homologim të Mjeteve Rrugore, veçanërisht nenet 3, 6, 7 dhe 20.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës sugjeron që autoriteti homologues (ministria) të bëjë liberalizimin e tregut të homologimit të automjeteve, ta hapë tregun në më shumë subjekte afariste duke u bazuar në një konkurrencë të lirë dhe të ndershme të tegut”, potencohet në vendimin e AKK-së.

Valon Prestreshi, kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës ka thënë për KALLXO.com se ky draft- udhëzim administrativ, ka pretendime kufizuese, në aspektin e liberalizimit të tregut, e sidomos nenet e atakuara.

“Ky draft- udhëzim administrativ, tenton që t’i caktojë çmimet dhe t’i bëjë unike për të gjithë. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës konsideron se përcaktimi i çmimit, nga ana e autoriteteve shteterore, bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, paragrafin 1.1, nenin 4. Andaj i kemi rekomanduar autoritetit homologues (ministrisë) që të marrë masa për plotësim-ndryshimin e këtij udhëzimi”, potencon Prestreshi.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës po ashtu e ka rekomanduar Ministrinë e Infrastrukturës që në parim, tregu i lirë e përcakton çmimin e shërbimit të homologimit.

Sipas autoritetit të konkurrencës meqë rasti karakterizohet si specifik, atëherë Ministria vendos vetëm për çmimin tavan – maksimal duke mos i detyruar subjektet e autorizuara të kenë çmime unike.

Ditë më parë edhe Instituti GAP ka reaguar kundër Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Infrastrukturës për Përcaktimin e Kushteve dhe Procedurave për Homologim të Mjeteve Rrugore duke bërë thirrje që ai mos të miratohet.

Në fund të vitit 2008 Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit (tash Ministria e Infrastrukturës) pati nënshkruar një kontratë ekskluzive me kompaninë “Eurolab” për homologimin e veturave që regjistrohen për herë të parë në Kosovë.

Pas kontratës, ministria i ka lëshuar kompanisë një autorizim për veprimtari ekskluzive dhjetëvjeçare, 2009-2019.

Instituti GAP konstatoi se me udhëzimin për homologim nuk po largohet monopoli.

“Në vend se të ndërmerren hapa për largimin e monopolit, Udhëzimi i ri Administrativ i jep të drejtën kompanisë ekzistuese të vendosë mbi subjektet konkurruese”, thuhej në komunikatën për shtyp të Institutit GAP.

http://kallxo.com/kerkohet-mosmiratimi-udhezimit-per-homologim-te-automjeteve/