Udhëtimi i Shfaqjes Teatrale Përfundon në Gjykatë

Aktakuza pretendon se udhëtimi i aktorëve të Teatrit Kombëtar për në Lubjanë për të dhënë shfaqjen “Lisistrata” u krye duke mos i respektuar procedurat e Ligjit të Prokurimit.

Udhëtimi për në Slloveni i aktorëve të Teatrit Kombëtar për interpretimin e shfaqjes “Lisistrata” është objekt i aktakuzës ndaj ish-drejtoreshës së Teatrit, Elmaze Nura dhe Beqir Beqirit si organizator.

NDËRLIDHUR

Nura dhe Beqiri po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Aktakuza pretendon se udhëtimi për në Lubjanë në vitin 2013 u krye duke mos i respektuar procedurat e Ligjit të Prokurimit. “Sipas provave të tilla rezulton dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit i kanë kryer veprat e përmendura penale”, tha Tunuzliu.

Ndërsa, avokati i Elmaze Nurës, Tomë Gashi, tha se në këtë rast nuk ka fare vepër penale.

“Se zonja Elmaze Nura nuk ka vepruar asgjë në kundërshtim me dispozitat ligjore vërtetohet nga shumë fakte dhe trupi gjykues duhet ta ketë parasysh një çështje thelbësore ne në këtë rast kemi të bëjmë me subvencione që i janë dhënë Teatrit Kombëtar të Kosovës nga Ministria e Kulturës dhe subvencionet nuk kërkojnë procedurë prokurimi”, tha Gashi.

Aktakuzën e kundërshtoi edhe avokati i Beqir Beqirit, Ali Beka.

Pasi u dha fjala hyrëse, në cilësinë e ekspertit Ramadan Ferizi dëshmoi nëse në rastin që po gjykohet është vepruar sipas Ligjit të Prokurimit.

“Në këtë rast nuk janë zbatuar procedurat e prokurimit publik”, tha Ferizi.

Por, avokati Gashi kontestoi cilësinë e ekspertit të ftuar. “Ky vet po deklaron faktikisht se se nuk është ekspert. Që ka certifikate të avancimit profesional për prokurim por jo ekspert i pavarur i gjykatës”, tha Gashi.

Pasi që as eksperti e as prokurori nuk ishin në gjendje të ofrojnë listën e ekspertëve dhe të vërtetojnë se a figuron në të eksperti Ferizi, seanca u shty për një datë tjetër.

05 Prill 2017 - 21:44

Labinot Leposhtica 05/04/2017 - 21:44
NDËRVEPRIMI0

Udhëtimi i Shfaqjes Teatrale Përfundon në Gjykatë

by Labinot Leposhtica
NA NDIQNI