Aktivistët e VV-së në gjykatë për sulmin në Kuvend | Foto: KALLXO.com

U Vazhdohet Arresti Shtëpiak të Akuzuarve për Sulmin në Kuvend

Gjyqtari Beqir Kalludra ua ka vazhduar edhe për dy muaj arrestin shtëpiak Frashër Krasniqit, Adea Batushës, Atdhe Arifit dhe Egzon Halitit, të akuzuarve për sulmin në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës në gushtin e vitit 2016.

Lajmin për vazhdimin e arrestit shtëpiak për KALLXO.com e konfirmoi avokati, Tomë Gashi.

“Gjykata me një vendim që është thuajse kopje e vendimeve të kaluara u ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak aktivistëve të Vetëvendosjes.  Masa u  është vazhduar edhe për dy muaj dhe njëri prej arsyetimeve është se të akuzuarit mund të pengojnë ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit. Unë po besoj që ky është një gabim teknik sepse gjykata nuk mund të mos jetë në dijeni se Kuvendi i Kosovës është shpërbërë”, tha Gashi.

I pakënaqur me këtë vendim, Gashi tha se është duke përpiluar ankesën ndaj këtij vendimi, të cilën do t’ia drejtojë Gjykatës së Apelit.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje reagoi sot pasi gjykata ua vazhdoi arrestin shtëpiak katër aktivistëve të saj.

“Në vendimin e kaluar shkruante se ata mbahen për shkak se në agjendë politike është çështja e demarkacionit dhe se lirimi i tyre mund ta paraqiste rrezik. Njëjtë, edhe në vendimin e sotëm, shkruan ashtu, pavarësisht ndryshimit të rrethanave dhe se kjo çështje nuk është më në agjendë”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Ky subjekt politik drejtësinë e konsideron të shpërfytyruar.

“Heqja e lirisë për katër aktivistë të rinj, krejt të pafajshëm se për çka akuzohen, tregon për një shtet me drejtësi të shpërfytyruar. Ata po mbahen pa fakte. I vetmi fakt në lidhje me mbajtjen e tyre është dëshira e pushtetit nga qeveria e kaluar”, thuhet më tej në reagim.

Gjashtë aktivistë të “Vetëvendosjes” u arrestuan më 30 gusht 2016 si të dyshuar për sulmin me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit.

Njëri nga ta, Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor të vitit të kaluar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Aktakuza për terrorizëm ndaj katër aktivistëve në të cilën nuk u përfshi Astrit Dehari i ndjerë dhe Petrit Ademi për mungesë provash, u ngrit më 29 dhjetor 2016 nga Prokuroria Speciale.