Kryetarja Mimoza Kusari-Lila dhe ambasadorja turke, Kıvılcım Kiliç - Foto: Komuna e Gjakovës

Turqia Investon në Dy Projekte në Gjakovë

Renovimi i konviktit të nxënësve dhe studentëve “Sadik Stavileci” dhe i objektit historik të shkollës “Mejtepi Ruzhdie” janë dy projekte të cilat Komuna e Gjakovës është duke i realizuar në bashkëpunim me Ambasadën turke.

Kështu njoftoi kryetarja Mimoza Kusari-Lila në një takim me ambasadoren turke, Kıvılcım Kiliç.

Kryetarja Kusari – Lila e ka falënderuar shtetin turk, i cili përmes organizatës qeveritare TIKA por edhe përmes formave të tjera tash e sa kohë është duke investuar në komunën e Gjakovës.

Ndërsa, ambasadorja turke ka thënë se për të personalisht Gjakova është njëri prej qyteteve më të dashura në Kosovë, prandaj edhe angazhimi për investime të tilla po bëhet me dëshirën më të mirë dhe vullnetin më të madh personal.

E pyetur për vlerën e shumës së investimit në dy objektet, Abetare Domi, zyrtare për informim e Komunës së Gjakovës tha për KALLXO.com se ende nuk është bërë e ditur shuma.

“Shuma ende nuk dihet pasi që nuk është bërë plani detal, dhe pa u bërë plani detal nuk dihet shuma e saktë se sa do të kushtojnë, mirëpo e rëndësishme është që tashmë organizata qeveritare TIKA ka bërë zotimin e saj për financimin e këtyre dy projekteve”, tha Domi.

KALLXO.com kishte raportuar më parë për problemet që kishte pasur ky konvikt.

http://kallxo.com/helmohen-dhjetera-studente-ne-gjakove/

http://kallxo.com/salmonella-helmoi-studentet-ne-gjakove/