Bekir Bozdag, zëvendës kryeministër i Turqisë

Turqia: Do të Vazhdojnë Operacionet e Ngjashme si në Kosovë

Qeveria turke u zotua se do të kryejë operacione të reja jashtë vendit për të sjellë në Turqi ndjekësit e klerikut fetar, Fethullah Gulen, të cilin e fajëson për përpjekjen për grushtshtet, më 2016.

“Shërbimi kombëtar i inteligjencës deri më tash ka kapur 80 anëtarë të FETO-s në 18 vende dhe i ka sjellë ata në Turqi”, tha zëvendëskryeministri Bekir Bozdag, të enjten në Ankara, duke përdorur akronimin për ndjekësit e Gulenit.

Komentet e Bozdagut, që i transmeton agjencia DPA, vijnë pak ditë pasi gjashtë shtetas turq në Kosovë janë arrestuar dhe dëbuar në Turqi.

“Operacione të shërbimit të inteligjencës, të ngjashme me ato në Kosovë, do të vazhojnë”, tha Bozdag.

Në Kosovë ka pasur raportime të pakonfirmuara se inteligjenca turke ka ndërhyrë në rastin e arrestimit dhe dorëzimit të gjashtë shtetasve turq, por, sipas versionit zyrtar, operacioni është zhvilluar me miratimin e ministrit të Brendshëm të Kosovës dhe shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Turqia mbetet në gjendje të jashtëzakonshme, e cila është vendosur pas përpjekjes për puç, më 15 korrik, 2016.

Mbi 50,000 njerëz janë të ndaluar, në lidhje me grushtshtetin e dështuar, dhe rreth 150,000 të tjerë janë shkarkuar nga puna.