Pamje nga vendi ku u vranë tre të rinjtë me origjinë nga Kosova në Munich- Foto: AP/BETA

Trupat e Viktimave të Munichut Sillen në Kosovë

Trupat e të rinjve Dijamant Zabërgja dhe Armela Segashi, të cilët u vranë të premten në një qendër tregtare në Munich të Gjermanisë pritet që sonte të arrijnë në Kosovë.

Në sulmin e së premtes është vrarë edhe Sabina Sulaj.

I kontaktuar nga KALLXO.com, xhaxhai i Dijamantit, Baki Zabërgja, tha se ende nuk e kanë marrë konfirmimin e saktë por presin që në orët e mbrëmjes të sillet trupi i nipit të tij dhe i Armelës, për t’u varrosur ditët në vijim nga familjarët e tyre.

Sipas Bakiut, varrimi i Dijamantit është paraparë të bëhet nesër në Vushtrri nga ora 14:00.

“S’mund të them 100 për qind se e kem konfirmimin nga institucionet e Gjermanisë për sjelljen e trupit të Dijamantit në Kosovë. Por nga rrethanat të cilat janë sot në orën 22:00 presim që trupi i Dijamantit të udhëtojë për në Kosovë. Nesër do të bëhet varrimi i tij në orën 14:00 në Vushtrri”, tha Zabërgja.

Ai shtoi se familjarët e dy viktimave tashmë kanë ardhur nga Gjermania në Kosovë.

KALLXO.com ka bërë përpjekje të mësojë nëse edhe trupi i Sabina Sulajt do të sillet në Kosovë por kontakti me familjarët e saj ka qenë i pamundur.

Dijamant Zabërxha, 21-vjeç, Armela Segashi 14-vjeçare dhe Sabina Sulaj u vranë të premten në sulmin e një të riu gjerman me origjinë iraniane.

Nëntë persona u vranë në këtë sulm, ndërsa autori bëri vetëvrasje.

http://kallxo.com/se-paku-9-te-vrare-ne-munich/

Në nderim të viktimave me origjinë nga Kosova, presidenti Hashim Thaçi shpalli të dielën ditë zie.

http://kallxo.com/e-diela-dite-zie-ne-kosove/