Donald Trump. Foto: Facebook

Trump Kërkon Paradë Ushtarake në Uashington

Presidenti amerikan, Donald Trump ka urdhëruar Pentagonin që në gjysmën e dytë të këtij viti të organizoi një paradë të madhe ushtarake.

Siç raportuan agjencitë e lajmeve, Trump dëshiron parakalimin e ushtrisë dhe tankeve në rrugët e Washingtonit.

Për të biseduar për këtë çështje, Trump është takuar më 18 janar me gjeneralët e Pentagonit, citoi gazeta Washington Post një burim anonim, shkruan rtv21.tv

“Urdhri i Trumpit për marsh ishte: Dëshiroj një paradë të ngjashme me atë në Francë”, tha burimi anonim dhe shtoi se për organizimin e paradës tani po punohet në nivelet më të larta të ushtrisë.

Sipas mediave amerikane, demonstrimi i fuqisë ushtarake nuk është një gjë tipike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të ishte një ngjarje, e cila do të kushtonte mjaft shtrenjtë. Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se janë duke u hartuar planet për organizimin e paradës dhe shtoi se Trump ka kërkuar organizimin e kësaj parade, me qëllim që amerikanët të jenë në gjendje të shprehin falënderimin e tyre për pjesëtarët e ushtrisë, të cilët çdo ditë rrezikojnë jetët e tyre për të mbajtur vendin të sigurt.

Shtëpia e Bardhë gjithashtu njoftoi se Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministren e Britanisë, Theresa May, gjatë së cilës ata u pajtuan se të gjitha shtetet e përgjegjshme duhet të shtojnë trysninë ndaj Koresë së Veriut. (REL)