Triumfi i Asim Cenajt ndaj Aktakuzës për Nxitje të Urrejtjes

Zyrtari komunal i Deçanit Asim Cenaj që u lirua nga akuzat për nxitje të urrejtjes, e priti mirë vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Që 13 muaj jam përballë, kam qenë i zhgënjyer, por me thanë të drejtën pas vendimit të Apelit, po ndihem me i relaksum se drejtësia ka shku në vend. Në Kosovë po mendoj se paska hala njerëz që të drejtën e çojnë në vend”,tha Cenaj për KALLXO.com.

Ai akuzohej se nxiti urrejtje kur reagoi ndaj disa serbëve që kishin ardhur në Komunën e Deçanit, duke u kërkuar llogari për të pagjeturit.

Cenaj që e ka babanë të pagjetur që nga lufta e fundit tha se nuk do të ndalet së kërkuari ata që mungojnë.

“Ne nuk do ndalemi, nëse dikush ka mendu që do ta frikëson këtë kategori të ndalet se kërkuari fatin e të pagjeturve, e ka pasur shumë gabim, na nuk do ndalemi kurrë. Nuk mendoj që do ketë qetësi në Kosovë përderisa nuk zbardhet edhe i fundit fati i atij që ka humbur, sepse edhe ata ishin njerëz dhe qytetarë të këtij vendi”, tha ai.

Në qershor të këtij viti Gjykata në Dçan kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj Asim Cenajt, por më pas prokurori Muharrem Bajraktari ishte ankuar në Gjykatën e Apelit.

http://kallxo.com/hidhet-poshte-aktakuza-ne-gjyqin-per-nxitje-te-urrejtjes/

Pastaj edhe apeli, njësoj si themelorja hodhi poshtë aktakuzën ndaj zyrtarit komunal të Deçanit.

Kujtim Kërveshi, avokati i Cenajt mebndon se i mbrojturi i tij  nuk është zgjedhur rastësisht që të përballet me këtë aktakuzë.

“Kam supozuar se fati i të zhdukurve në Kosovë, z. Cenaj dhe Deçani nuk ishin zgjedhur rastësisht për t’u bërë temë e kësaj natyre”, tha Kërveshi.

Ai më tutje konstatoi se një disiplinim i tillë nuk duhet të aplikohet.

“Konsideroj se as sot e as atëherë ‘disiplinimi’ per t’i kërkuar të zhdukurit nuk mund të bëhet duke futur prokurorinë si mjet në mes lirisë dhe dhimbjes për të zhdukurit, duke krijuar procese ligjore paushalle”, tha Kërveshi.

Cenaj akuzohej se kreu veprën penale nxitje të urrejtjes, përçarjes apo mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik më 1 dhjetor të vitit të kaluar gjatë një takimi me personat e zhvendosur të komunitetit serb dhe malazez në Asamblenë Komunale të Deçanit, ku të pranishëm ishin edhe zyrtarë komunalë, të KFOR-it dhe policisë.

Në prill të këtij viti, pasi Cenajt në gjykatore kishte thënë se ndihet i pafajshëm dhe se fjalimin e para një viti sërish do ta kishte përsëritur.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast. Raportet mund t’i shikoni këtu.