Foto: ICTY/Reuters

Tribunali i Hagës Nis Hetime Rreth Vdekjes së Pralak

Tribunali i Hagës ka nisur një hetim të pavarur, i cili do të plotësojë hetimet tashmë të filluara nga autoritetet holandeze, lidhur me vdekjen e Sllobodan Pralak.

Ky hetim i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi do të kryhet nga ekspertë të pavarur, thuhet në njoftimin për media.

I gjithë procesi do të udhëhiqet nga gjyqtari nga Gambia, Hassan B. Jallow, ish-prokuror në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Hetimi do të nisë javës së ardhshme dhe ka për qëllim që të ofrojë një raport para se gjykata të mbyllet më 31 dhjetor 2017.

“Hetimi do të vlerësojë të gjitha procedurat aktuale, por gjithashtu do të japë rekomandime që mund të ndihmojnë gjykatat e tjera në të ardhmen. Rezultatet e hetimit do të publikohen, duke respektuar procedurat dhe të dhënat konfidenciale “, thuhet në komunikatë.

Sllobodan Pralak më 29 nëntor piu një lëng (helm) nga një shishe e vogël pak çaste pasi që Gjykata e Apelit ia konfirmoi atij dënimin prej 20 vjet burgim.

Prokuroria holandeze ka konfirmuar se në bazë të analizave paraprake, në shishen e vogël nga e cila piu i dënuari për krime lufte, Pralak, kishte një substancë kimike (kimikate) vdekjeprurëse.

Ai vdiq në spital pasi u nxor nga gjykata.

Pralak ishte dënuar fillimisht në vitin 2013 për krime lufte në Mostar. Gjykata e Hagës ka konfirmuar të mërkurën dënimin për Pralakun dhe pesë kroatë të tjerë të Bosnjës.

Javën e kaluar, Gjykata e Hagës ka dënuar me burgim të përjetshëm Ratko Mlladiqin – ish-komandantin e forcave serbe të Bosnjës.