Burgu (ilustrim)

Tri Suspendime në Dubravë pas Arratisjes së të Burgosurit nga QKUK

Ministria e Drejtësisë, përmes kësaj komunikate njofton ka bërë të ditur se duke u bazuar në mandatin ligjor të saj, ka ndërmarrë masa të nevojshme për t’i dhënë mundësi hetimit të pavarur dhe të pandikuar në lidhje me rastin e fundit të arratisjes nga QKUK-ja, të një personi në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

“Duke shfrytëzuar mandatin ligjor, janë marrë masat për fillimin e hetimit të përgjithshëm si nga ana e policisë, inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë dhe komisionit hetues në nivel ministrie. Paralelisht me këtë, janë suspenduar nga puna deri në përfundimin e hetimeve, U.D e Drejtorit të Qendrës Korrektuese të Dubravës, si dhe dy oficerë përgjegjës për rastin”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë thotë se është e vendosur që çdo parregullsi në fushën e drejtësisë dhe mekanizmave të saj të adresohet në përgjegjësi zyrtare dhe ligjore, në mënyrë që të rritet përkushtimi dhe efikasiteti i zbatimit të ligjit dhe të parandalohet çdo keqpërdorim i mundshëm gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht rrethanave dhe arsyeve.

Një i burgosur, në vuajtje të dënimit me 30 vjet burg për vrasje, është arratisur në fund të javës së kaluar nga QKUk ku ishte dërguar për trajtim mjekësor.