Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Tri Mjekeve u Vërtetohet Pafajësia për Rastin e Arbenita Spahiut

Gjykata e Apelit njoftoi sot me anë të një komunikate se ka refuzuar ankesën e prokurorisë në lidhje me vendimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit për tri mjeket që akuzoheshin për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor dhe mosdhënie të ndihmës mjekësore.

Duke refuzuar ankesën e prokurorisë, Apeli ka vërtetuar pafajësinë e mjekeve që atyre iu shqiptua nga Gjykata Themelore në Gjilan.

“Vendimi i gjykatës së shkallës se parë, është i qartë dhe konkret, në të  janë dhënë arsye për faktet vendimtare, janë arsyetuar provat dhe  drejt  është vepruar kur është  konsideruar se në veprimet e të akuzuarave nuk qëndrojnë elementet e veprave penale për të cilat ato ishin ngarkuar”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Mjeket-gjinekologe Mexhide Shaqiri, Hamide Zeqiri e Vjollca Kosumi ishin liruar nga Gjykata në Gjilan në maj të këtij viti.

Atëherë gjykata në vendimin e saj konstatoi se “prokuroria nuk ka paraqitur fakte që do ta vërtetonin përgjegjësinë e të akuzuarave”.

http://kallxo.com/lirohen-gjinekologet-ne-rastin-e-arbenita-spahiut/

Mësuesja Arbenita Spahiu kishte vdekur më 3 mars 2016 pas komplikimeve gjatë lindjes, ndërsa mjeket Mexhide Shaqiri e Hamide Zeqiri akuzoheshin për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, kurse Vjollca Kosumi për mosdhënie të ndihmës.

Enver Selimi, babai i Arbenita Spahiut, pas shpalljes së vendimit të gjykatës vitin e kaluar tha se “ai që është i fortë, ai fiton, viktima është viktimë gjithherë, nuk mundet me fitu kurrsesi”, duke mos u pajtuar me vendimin e gjykatës.

http://kallxo.com/babai-arbenites-forti-fiton/

Por Apeli konstatoi se themelorja në vendimin e saj ka analizuar të gjitha faktet.

“Gjykata e shkallës se parë ka arsyetuar secilën provë veç e veç, të njëjtat i ka ndërlidhur në mes veti duke arsyetuar faktin se përse disa provave ua ka falë besimin, e disave jo, si dhe arsyeve në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështjeje penalo-juridike”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.