Ekaterina Trendafilova, kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës

Trendafilova Flet për Hapat Vijues të Gjykatës Speciale

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova në një konferencë për medie foli për hapat vijues që do të çojnë rreth nisjes së procedurave penale.

“Rregullorja e Procedurës dhe e Provave do të hyjë në fuqi shtatë ditë pasi të jetë vendosur se është në përputhshmëri me Kushtetutën. Nga ai moment, Dhomat e Specializuara do të mund të pranojnë dorëzimin e parashtrimeve dhe të kryejnë procedura penale”, tha Trendafilova, sipas komunikatës së Dhomave të Specializuara të lëshuar pas konferencës.

Për nëntë nga 208 rregullat e Rregullores së Procedurave dhe Provave duhet shqyrtim i mëtejshëm, sipas një konstatimi më 26 prill 2017 të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese që është pjesë e Gjykatës Speciale.

“Shqyrtimi dhe  përfundimet e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në asnjë mënyrë nuk zbehin cilësinë e punës së kryer nga plenarja. Nuk është e pazakontë që dokumentet legjislative t’i nënshtrohen një analize të imtësishme, dhe në këtë mënyrë përmirësohet cilësia e tyre. Kjo është një provë dhe garanci më shumë se procedurat para Dhomave të Specializuara të Kosovës do të kryhen në mënyrë profesionale, të pavarur dhe të paanshme”, tha Trendafilova.

BIRN-i kishte shkruar për rishikimin e procedurave të Gjykatës Speciale.

http://kallxo.com/gjykata-speciale-detyrohet-te-rishikoje-procedurat/

Trendafilova tha se nga fundi i majit do të miratohen korrigjimet e kërkuara nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese.

Ajo e konsideroi nder punën që i është besuar.

“E konsideroj nder që mu besua udhëheqja e këtij misioni për të mundësuar që Dhomat e Specializuara të bëjnë drejtësi në mënyrë efikase, të shpejtë, ekonomike, të pavarur nga çdo ndërhyrje dhe duke mbrojtur e garantuar sigurinë e dëshmitarëve dhe të drejtat themelore të të akuzuarve”, tha Trendafilova.