Zyret qendrore të Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Foto: Wikimedia/Loren

Tregtari Serb i Armëve Lobon për Largimin nga Lista e Zezë e ShBA-së

Tregtari serb i armëve, Slobodan Tesiq, i cili ishte vendosur në listën e zezë të ShBA-së, ka angazhuar një kompani lobuese në Washington për ta ndihmuar atë që të hiqet emri i tij nga lista.

Slobodan Tesiq, të cilin në muajin dhjetor ShBA-ja e vuri në listën e zezë të abuzuesve me të drejtat e njeriut dhe njerëzve të përfshirë në aktivitete korruptive anembanë botës, ka angazhuar kompaninë lobuese ‘Sonoran Policy Group Inc’ në një përpjekje për të hequr emrin e tij nga lista.

‘Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të ShBA-së’, FARA, më 16 shkurt regjistroi një marrëveshje midis ‘Venable LLP’, firmës ligjore që përfaqëson Tesiqin dhe ‘Sonoran Policy Group Inc’.

Në dokumentin që ‘Sonoran Policy Group’ paraqiti në FARA, tha se kompania lobuese do të “ndihmoj Venable LLP, në lidhje me heqjen e klientit të firmës, Slobodan Tesiq, nga Lista e Shtetasve të Caktuar[Lista SDN]”.

Siç ka raportuar më parë BIRN, Slobodan Tesiq është midis 39 individëve dhe subjekteve mbi të cilët ShBA i imponoi sanksionet më 21 dhjetor.

“Tesiq është ndër tregtarët më të mëdhenj të armëve dhe municioneve në Ballkan, ai kaloi pothuajse një dekadë në listën e ndalimit të udhëtimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkeljen e sanksioneve të OKB-së kundër eksporteve të armëve në Liberi”, tha Departamenti i Thesarit të ShBA-së në një deklaratë për shtyp në muajin dhjetor.

Si rezultat i sanksioneve, të gjitha pasuritë e Tesiq në ShBA ishin ngrirë dhe qytetarët amerikanë janë të ndaluar të angazhohen në transaksione me të.

Tesiq ishte gjithashtu në listën e zezë të OKB-së për më shumë se një dekadë, në mes të vitit 2003 dhe 2013, për shkak të sanksioneve të pretenduara në Liberi.

Kompania lobuese ‘Sonoran’, e cila ka punësuar përfaqësuesit e Tesiq, ka “lidhje të gjera me [presidentin amerikan Donald] Trump”, sipas një raporti të CNN në qershor të vitit të kaluar.

Në raport, CNN tha se disa njerëz që ishin më parë aktivë në fushatën presidenciale të Trump më vonë u punësuan gjithashtu si lobistë nga ‘Sonoran Policy Group’.

Sipas një raporti të qershorit të vitit 2017 nga Politico, ‘Sonoran Policy Group’ ka përfaqësuar edhe një tjetër tregtar të armëve i cili është akuzuar për shitjen e paligjshme të armëve në Libi, edhe pse prokurorët e lanë këtë rast.

BIRN u përpoq të kontaktojë me Tesiq por ai nuk ishte në dispozicion për një reagim të menjëhershëm.