Tre Vëllezër Nuk i Lëshojnë Rrugë Njëri-Tjetrit (TV)

Për problemin pronësor të vëllezërve Kuçi nga Studenica e Istogut, gjykata komunale e kësaj komune disa herë mori vendime, pa mbërritur të evitojë pakënaqësitë.

Vendimin e parë për këtë problem, Gjykata Komunale e Istogut e mori në vitin 2001, me kërkesën e vetë vëllezërve, ose fëmijëve të tyre. Atëherë gjykata pronën kontestuese prej 3 hektarësh e 38 arësh, e ndau në tri pjesë të barabarta, ku secilit prej vëllezërve u takoi nga 1/3 e kësaj prone.

Ndaj vendimit të vitit 2001 që ndante pronën në mënyrë të barabartë, trashëgimtari Fekë Kuçi u ankua në Gjykatën e Qarkut në Pejë gjatë vitit 2005, pasi djemtë e vëllait të tij nuk ia lejonin rrugën nëpër pjesën e tyre të pronës, të caktuar nga gjykata, ndërsa Feka nuk kishte rrugë tjetër alternative nga mund të kalonte. 

Gjykata e Pejës anuloi vendimin e Gjykatës Komunale të Istogut, duke e kthyer në rishqyrtim me vërejtje dhe sugjerime të caktuara lëndën e këtij kontesti, të regjistruar me numrin T.nr.21/01.

Por Gjykata Komunale në Istog gjatë rishqyrtimit të lëndës së rikthyer nga Gjykata e Qarkut në Pejë, më 21 mars 2005, hodhi poshtë kërkesën për korrigjimin e aktvendimit të saj të marrë më 22 maj 2001, duke e kthyer gjendjen ashtu siç ishte në fillim.

Pas këtij vendimi, përplasjet mes vëllezërve nuk ndodhën  vetëm nëpër seancat e zhvilluara në gjykatë, por edhe aty në këtë pronë, për rrugën që i mohohej Fekë Kuçit dhe fëmijëve të tij, nga djemtë e vëllait.

Fekë Kuçi kërkonte dalje në rrugën kryesore, përmes pjesës së pronës së vëllait të tij të ndjerë Ahmetit, ndërsa djemtë e këtij të fundit nuk lejonin një gjë të tillë.

Ilir Kuçi, djali i vëllait të Fekës,  në mars 2004 u dënua me 450 euro gjobë, nga Gjykata e Qarkut në Pejë për kërcënim me armë ndaj xhaxhait të tij, ndërsa vëllai i Ilirit, Xhaferi, thotë se pajtohet me ndarjen që gjykata i bëri pronës.

Xhafer Kuçi shton se me një ndarje të tillë në tri pjesë të barabarta, ishte pajtuar edhe babai i tij, sa ishte gjallë.

Por Fekë Kuçi kërkon rrugë, ndërsa akuzon gjykatën se vendimin për ndarje të pronës e ka marrë duke u bazuar në dokumente të falsifikuara.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës-degës në Istog, Ramadan Shatri thotë se di shumë pak në lidhje me këtë kontest pronësor, ndërsa pohon se Fekë Kuçi asnjëherë nuk i është drejtuar atij, për ta diskutuar këtë problem, edhe pse mendon se i është bërë padrejtësi.

“(Feka) E ka pasur vendimin në dorë. E ka marrë personalisht dhe ka pasur mundësi të bëjë ankesë në afatin e duhur ligjor. Ai si duket nuk e ka shfrytëzuar këtë të drejtë por tash po ankohet kinse ka pasur ndonjë lëshim procedural, gjë që unë nuk mendoj që ka pasur ”, thotë Shatri për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Sipas Shatrit sikur Feka të ankohej ndaj vendimit të shkallës së parë, shkalla e dytë do të përmirësonte lëshimet e mundshme.

Ankuesi Fekë Kuçi tregon se ka trokitur në shumë dyer të drejtësisë, pa gjetur zgjidhje.

“Lidhur me këtë problem kam bërë ankesë në të gjitha institucionet e drejtësisë, si me gojë, po ashtu edhe me shkrim”, thotë Fekë Kuçi.

Ai shton se është ankuar në Gjykatën Komunale të Istogut, në Gjykatën e Qarkut në Pejë, në policinë komunale e regjionale, në Departamentin e Drejtësisë së Gjykatës Supreme, por nga këto institucione nuk ka marrë përgjigje.

Me Ligjin për gjykatat që hyri në fuqi më 1 janar 2013, gjykatat themelore dhe ato të qarkut u zëvendësuan nga gjykatat themelore.

Ish-drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrës në komunën e Istogut z. Halit Kabashi, thotë se gjykata ka bërë gabim me rastin e ndarjes së kësaj trashëgimie, pasi sipas tij gjykata nuk e ka ndarë pronën sipas pajtimit të palëve, por në pjesë të barabarta, ku secili nga trashëgimtarët ka marrë 1/3 e kësaj prone.

Kabashi shton se ky institucion një herë ia kishte dalë të pajtojë vëllezërit, por konflikti është kthyer pas vendimit të gjykatës.

Problemi do të zgjidhej sikur në fillim të sigurohej rruga për të tre vëllezërit nëpër këtë parcelë dhe pastaj pjesa tjetër e pronës të ndahej në tri pjesë të barabarta.