Ilustrim

Tre të Ndaluar për Përleshjen e Djeshme në ‘Rrugën B’

Policia njofton se pas marrjes së autorizimit nga prokurori i shtetit ndaj 3 të dyshuarve për përleshjen që ka ndodhur dje rreth orës 17:20 në “Rrugën B” të kryeqytetit është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Në një njoftim të saj, Policia tregon se kishte marrë informacion se në një objekt në Prishtinë  ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe se menjëherë njësitë e nevojshme, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve, kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Bazuar në rezultatet e hetimeve fillestare, ngjarja është nxitur nga një zënkë e momentit, e cila ka eskaluar dhe në një përleshje ku kanë qenë të përfshirë disa persona, është shtënë me armë zjarri,  është përdorur arma e ftohtë (thikë) si dhe mjete të tjera të forta”, thekson Policia.

Në këtë rast janë lënduar 3 persona, të tre shtetas të Kosovës:  A.S., 37 vjeç, (i goditur me mjet të fortë ), G.A., 26 vjeç, (i therur me thikë ) dhe P.S., 21 vjeç (i therur me thikë).

Të tre menjëherë janë dërguar për trajtim mjekësor dhe pas marrjes së autorizimit nga ana e prokurorit të shtetit të treve u është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Policia thotë se po punon në identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë si të dyshuar të mundshëm ndërkohë që lidhur me këtë ngjarje në polici është iniciuar rasti vrasje në tentativë dhe lëndim trupor.