Foto: Ilustrim

Tre të Arrestuar për Grabitjen e 12 Mijë Eurove

Policia e Gjakovës ka arrestuar tre persona që kishin grabitur një grua para dymbëdhjetë ditësh.

“Me datën 12.10.2016 Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor në Gjakovë, në bashkëpunim të ngushtë me sektorin rajonal për hetime, pas një pune intensive operativo-hetimore kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë tre persona të dyshuar për grabitje,” thuhet në komunikatën e policisë së Gjakovës.

Policia njoftoi se grabitja kishte ndodhur më 2 tetor.

“Personat e arrestuar dyshohet se me datën 2 tetor 2016 në orën 23:30 në Rrugën ‘Anton Çetta’ në Gjakovë ia kanë grabitur viktimës- femër çantën e krahut në të cilën kishte të holla në vlerë 12.000 euro,” shpjegon komunikata.

Sipas policisë, personat e dyshuar për këtë grabitje janë: M. D. lindur me 1981, N. P. lindur me 1966, M. D lindur me 1983 që të tre shtetas të Kosovës.

Policia bën me dije se gjatë intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës të arrestuarit kanë pranuar veprën.

Të dyshuarve u është caktuar paraburgimi prej një muaji, pasi më parë ishin ndaluar për 48 orë, ndërsa policia kishte ushtruar kallëzim penal ndaj tyre.