Ilustrim - Drogë

Tre Shtetas të Serbisë Kapen me 9 Kg Drogë në Istog

Tre shtetas të Serbisë, P.Q. (i datëlindjes 1980), B.K. (1981) dhe B.K. (1987), janë arrestuar nga Policia e Kosovës për shkak se në veturën me të cilën udhëtonin është gjetur dhe konfiskuar një sasi e konsiderueshme e drogës.

Të arrestuarit dyshohen për veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve.

Policia njofton se me urdhër të prokurorit kompetent dhe gjyqtarit është kontrolluar vetura dhe personat e dyshuar dhe gjatë kontrollit në pjesë të ndryshme të veturës janë gjetur dhe konfiskuar 19 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, të cilat pas matjes kanë rezultuar të jenë me peshë 9 kilogramë e 170.2 gramë.

Operacioni është realizuar pas një pune operativo-hetimore të njësitit të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) të Pejës, i cili ka arritur të sigurojë informacione të sigurta se disa të dyshuar kanë marrë një sasi të substancës narkotike në Kosovë dhe janë duke provuar që të njëjtën ta dërgojnë në Serbi.

DHTN-në e Pejës e kanë përkrahur edhe DHTN e Gjakovës dhe NJRSH e Pejës.

Personat e dyshuar janë ndaluar në fshatin Gurakoc të Istogut teksa po udhëtonin me veturën me targa të Serbisë.

Me vendim të prokurorit të njëjtëve u është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Po ashtu, në cilësi të provave materiale është konfiskuar vetura dhe sasia e narkotikëve.