Tre Muaj, Mbi 1,200 Vetura të Konfiskuara në Prishtinë

Sipas policisë, konfiskimi i veturave është bërë me synimin për rritjen e sigurisë rrugore si dhe “menaxhimin sa më profesional të trafikut në kryeqytet”.

Që nga janari, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor ne Prishtinë është duke konfiskuar të gjitha veturat që janë të parkuara në mënyrë të parregullt dhe në vendet e ndaluara për parkim, përmes kompanisë për tërheqjen e automjeteve.

Florie Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës, ka treguar për KALLXO.com se ka arritur në 1263 numri i veturave të konfiskuara nga ana e policisë që nga janari e deri më tani.

Numri i  ankesave të qytetarëve për bllokimin e trotuareve dhe numri kundërvajtësve që nuk respektojnë shenjat e trafikut ka bërë që policia të bëjë konfiskimin e këtyre veturave.

Një veturë e parkuar në vend jo të duhur mund t’u kushtojë pronarëve deri në 60 euro nëse ajo konfiskohet nga Policia.