Gjykimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare - Foto: KALLXO.com

Tre dëshmitarë dëgjohen në gjykimin e ish-zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës vazhdoi gjykimi kundër Vlladimir Kovaçeviqit, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në seancë dëshmi dhanë dëshmitarët Mitar Kostiq, Sllavisha Zhivkoviq dhe Zeqir Zeqiri.

Pas pyetjes së prokurorit Ismet Ujkani dëshmitarit Mitar Kostiq tregoi në seancë se ai ia kishte dhënë familjes Zeqiri një pjesë të tokës së tij për ta punuar, në mënyrë që të njëjtit t’i paguanin shumën prej 100 euro në vit.

Sipas Kostiqit pasi që ai nuk jetonte në fshat disa herë kishte shkuar ta merrte pagesën personalisht, ndërsa herëve tjera e kishte pranuar nga palët e tjera, duke përfshirë edhe të pandehurin Vlladimir Kovaçeviq.

Dëshmitari Kostiq gjatë dëshmisë së tij tregoi gjithashtu se me të dëmtuarin Gazmend Zeqirin nuk kishte pasur ndonjë marrëveshje por atë e kishte pasur me babanë e tij Zeqir Zeqirin lidhur me punimin e tokës së lartcekur.

“Unë me Gazmendin nuk kam pasë ndonjë marrëveshje por kam pasë marrëveshje me Zeqir Zeqirin, prindin e Gazmend Zeqirit. Marrëveshja ka qenë me punu tokën time, marrëveshja ka qenë me pagu Zeqiri nga 100 euro për një arë –parcelë. Tokën e ka punuar 5 vite dhe marrëveshja ka qenë me i lanë paret në fshat. Herën e fundit 100 euro m’i ka dhanë mua , 100 euro m’i ka lanë te Vllada- Vlladimir Kovaçeviq “, tha dëshmitari.

Deklarimi i dëshmitarit u kundërshtua nga ana e të dëmtuarit, Gazmend Zeqiri, me arsyetimin se Mitar Kostiq nuk e ka thënë të vërtetën.

Kurse dëshmitari Sllavisha Zhivkoviq pasi që u pyet nga prokurori tregoi se raportet fqinjësore të të dëmtuarit Gazmend Zeqirit me të pandehurin kanë qenë të mira, ndërsa për pjesën e tokës që është punuar nga ana e familjes së të dëmtuarit shpjegoi se e kanë ditur gjithë fshati jo vetëm ai.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Faruk Korenica e pyeti dëshmitarin lidhur me të pandehurin se çfarë sjellje kishte dhe autoritetin që gëzonte ai në fshatin Prelluzhë të Vushtrrisi në raport me të tjerët.

“Sa i përket Kovaçeviqit mund të them se është mirë, qe sa vite punon, ai asnjë vërejtje nuk e ka pasur. Gjithmonë ju ka dal në ndihmë njerëzve sipas ligjit“, tha dëshmitari.

http://kallxo.com/deshmitari-tregon-se-dha-100-euro-zyrtarit-te-akuzuar/

Dëshminë në seancë e ka dhënë edhe Zeqiri Zeqiri, babai i të dëmtuarit Gazmend Zeqiri.

Zeqiri fillimisht në gjykatë tregoi për marrëveshjen që e kishte pasur me Mitar Kostiqin për punimin e tokës së tij.

Ai tha se tokën nga Mitar Kostiq e shfrytëzon qe afër 10 vjet dhe sipas tij, bazuar në marrëveshje gojore, ai do të paguante shumën prej 100 euro në vit.

Zeqir Zeqiri tha se paratë për shfrytëzim të tokës ia ka dhënë vetë personalisht pronarit të tokës, Mitar Kostiq, përveç disa rasteve kur sipas tij Kostiq së bashku me bashkëshorten e tij i kanë marrë nga ai dhe dy herë të tjera nga një person i nacionalitetit serb nga fshati Prilluzhë.

Po ashtu pas pyetjes se prokurorit ai tha se asnjëherë nuk ishte takuar me të pandehurin për punën e tokës, por se i njëjti një herë kishte shkuar në shtëpinë e tij duke e kërkuar Gazmendin, duke i thënë që të nënshkruante një dokument, ku sipas dëshmitarit ai i kishte thëne që nëse ai (i pandehuri) do të përjashtohej nga puna as i dëmtuari Gazmendi nuk do të merrte më ndihmën sociale.

“Për këtë punë jo veç e di që një herë ka qenë te shtëpia ime, i kish pasë disa dokumente në dore edhe hini në oborr tha: Ku është Gazmendi? Ai nuk ka qenë në shtëpi. E kam marrë, e kam ftu Vladimirin me hy mrena, ka hy, kena prit 1 orë a gjysmë ore nuk po me kujtohet derisa ka ardhë Gazmendi. Edhe pasi që ka ardhë kanë bisedu me të edhe tha: Gazmend qeshtu do pare kur t’i kam marrë unë ty, pastaj i tha nëse mu me largojnë prej pune edhe ti ki me u hekë prej sociali. Vlladimiri e ka pasë një letër të thjeshtë edhe i thojke Gazit me nënshkrua. Unë kam kajtë edhe i kam thanë nënshkruaje. Gazmendi e ka nënshkruar por nuk e di përmbajtjen e saj “, tha dëshmitari.

Dëshmitari Zeqiri më pas tha se në një deklaratë në Polici kishte thënë se edhe kafshët e dinë se Kovaçeviq merr para për kryerjen e punës së tij.

Në fund të seancës mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Faruk Korenica i prezantoi gjykatës dy lista me emrin ‘Qytetarët të cilët kanë pasur problem me Gazmend Zeqirin”, e në të cilat lista, janë të evidentuara 26 familje shqiptare si dhe 15 familje serbe me emër, mbiemër dhe numër personal.

Avokati Korenica, lidhur me këtë i propozoi Gjykatës që të dëgjohen 46 dëshmitarë të cilët, sipas tij, do të tregojnë për problemet që kanë pasur me të dëmtuarin dhe se kjo sipas tij, do të tregonte shumë për personalitetin e të dëmtuarit.

Korenica po ashtu, ka propozuar që në cilësi të dëshmitareve të dëgjohen edhe Kimete Mehana, koordinatore në Qendrën për Punë Sociale në Vushtrri, dhe dy zyrtaret nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, Saranda Krasniqi dhe Merita Fetahu.

Këto propozime të avokatit Korenica për dëgjim të dëshmitarëve u kundërshtuan nga ana e prokurorit të rastit, Ismet Ujkani si dhe nga ana e të dëmtuarit Gazmend Zeqiri.

Lidhur me këto propozime, trupi gjykues, i kryesuar nga Avni Mehmeti, ka aprovuar propozimin që të dëgjohet si dëshmitare Kimete Mehana, pasi që Gjykata ka konsideruar se kjo dëshmitare mund të japë informacione që mund të jenë të vlefshme për çështjen penale në raport me të akuzuarin Vlladimir Kovaçeviq.

Ndërsa, trupi gjykues ka refuzuar propozimin për dëgjim të dëshmitarëve të tjerë të propozuar nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit Vlladimir Kovaçeviq, avokatit Faruk Korenica.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i akuzuari Vlladimir Kovaçeviq duke punuar si zyrtar në Qendrën për Punë Sociale në Prilluzhë ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

I akuzuari ishte dakorduar më të dëmtuarin, në atë mënyrë që i dëmtuari Gazmend Zeqiri do t’ia paguante shumën prej 100 eurove, për  të realizuar të drejtën e tij të asistencës sociale duke i thënë të dëmtuari se duhet të riaplikojë, edhe pse me vendimin të gjykatës ka të drejtë në asistencë sociale, duke shtuar se fare nuk do të dërgonte komision për verifikim në shtëpinë e tij, nëse do të paguante këtë shumë.

Sipas Prokurorisë, me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Gjithashtu pasi i dëmtuari i kishte dhënë të akuzuarit shumën prej 100 eurove, me rastin e pranimit i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit, thuhet në aktakuzë.

Seanca e radhës u caktua më 10 maj ku pritet të dëgjohet dëshmitarja Kimete Mehana si dhe të jepet edhe fjala përfundimtare nga ana e palëve.