Trashëgimia Kulturore si Tërheqje për Turistët

Zyra e BE-së dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara nisën sot projektin e përmirësimit të tolerancës mes komuniteteve dhe rritjes së respektit për identitetin dhe trashëgiminë kulturore.

Projekti ka për qëllim ndërtimin e besimit përmes mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Në fillim të ceremonisë Kujtim Shala, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, tha se është synim i Qeverisë së Kosovës që të bëhet mbrojtja e kësaj trashëgimie.

“Ne jemi të përkushtuar që ta mbrojmë dhe ta ruajmë trashëgiminë kulturore të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa asnjë dallim etnie. Trashëgimia kulturore e Kosovës i përket popullit të Kosovës dhe mbarë qytetërimit dhe rrjedhimisht shteti i Kosovës e ka për obligim që me standardet dhe me organizmat ndërkombëtarë t’i mbrojë këto vlera,” tha ministri Shala.

Ai gjithashtu tha se trashëgimia kulturore është një çështje e një rëndësie të veçantë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Kosova më 9 nëntor të vitit të kaluar dështoi të pranohej në këtë organizatë për 3 vota.

http://kallxo.com/kosova-deshton-per-tri-vota-ne-unesco/

Christof Stock, shef i Sektorit për Bashkëpunim nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se trashëgimia kulturore duhet të jetë synim i të gjithëve si promovim i tolerancës dhe është një pasuri e madhe që duhet të ruhet nga gjeneratat e reja.

“Bashkimi Evropian e mbështet këtë projekt për të ndihmuar që vendi t’i rikthejë në jetë këto zona dhe të ruajë vlerat, të mos dëmtohen varrezat dhe objektet tjera kulturore, pasi kjo i ndihmon edhe sektorit ekonomik-atij të turizmit. Ky duhet të jetë synim i të gjithëve për promovimin e tolerancës,” tha Stock.

Projekti do të zgjasë një vit, do të ketë një buxhet prej 1.56 milionë euro dhe nga ai do të përfitojnë pesë komuna të përzgjedhura: Gjilani, Shtërpca, Ferizaj, Lipjani dhe Kamenica.

Ky projekt financohet nga BE-ja në bashkëpunim me EULEX-in dhe Njësinë e Policisë së Kosovës për Sigurinë e Ndërtesave e Trashëgimisë Kulturore.

Projekti do të përqendrohet në renovimin, rregullimin dhe rehabilitimin e vendeve të trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë.