Driton Kuka

Trajneri i Kampiones Pret me Shpresë Qendrën e Xhudos

Vendimi për ndërtimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në qendër të Pejës e ka gëzuar shumë Driton Kukën, trajnerin e Majlinda Kelmendit, kampiones botërore të xhudos.

Kuka për KALLXO.com tha se vendimi për të ndërtuar një qendër të tillë është shumë i përshtatshëm për xhudistët.

“[Vendimi] na lehtëson punën. Salla ku stërvisim është e vogël për kapacitetet që i kemi. “Më në fund do të kemi një palestër me kushte normale për punë,” tha Kuka për KALLXO.com.

Kuvendi Komunal i Pejës vendosi dje me votat e asamblistëve të pozitës dhe opozitës që të ndërtojë Qendrën Nacionale të Xhudos.

Majlinda Kelmendi që i solli Kosovës medaljen e parë të artë olimpike nga olimpiada e Rios, sivjet u shpall xhudistja më e mirë në botë nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF).

KALLXO.com raportoi për kushtet e këqija në të cilat stërvit Majlinda Kelmendi.

http://kallxo.com/majlinda-kelmendi-kampionia-qe-mund-ta-braktise-vendlindjen/