Tragjedia në Maqedoni Vrasësi i Vëllait Veproi në Afekt

Vrasësi i trefishtë nga fshati Gllumovë i Komunës së Sarajit nuk ka pasur probleme mentale por ka reaguar në moment thotë psikologu Blerim Nebiu. Sipas burimeve që ai vetë posedon, ka kuptuar se personi në të vërtetë nuk ka pasur ndonjë sëmundje mendore para incidentit, kur vrasësi qëlloi për vdekje dy djemtë e vëllait të tij, vëllain e tij, dhe në fund veten, duke lënë të plagosur edhe djalin e tij, shkruan tv21.tv

“Sa i përket rastit apo konfliktit, mund të themi se ka ndodhur edhe në të kaluarën raste të këtilla, personi, sipas disa burimeve nuk ka pasur probleme mendore. Thjeshtë mosmarrëveshjet apo kacafytjet familjare kanë eskaluar dhe në gjendje afekti personi nuk është në gjendje të kontrolloj vetveten dhe ndodhi ajo që ndodhi ditën e djeshme. Besoj se çdo njërit mund ti ndodhë kjo gjë”, tha Blerim Nebiu, profesor i psikologjisë.

Një fqinj i vrasësit që vrau dhe veten, i cili insistoi të mbetet anonim, thotë se ka njohur vrasësin dhe sipas tij, ai nuk ka pasur probleme mentale. Ai thotë se origjina e zënkës ka qenë problem pronash.

“Para ca kohe 48 vjeçari S.Sh nga fshati Gllumovë ka pasur një kacafytje me vëllain dhe djemtë e vëllait të tij në lidhje me pronësinë e një prone të patundshme, si rezultat ai ka shkëputur kontakt me vëllain, djemtë e vëllait dhe djalin e tij. Djali i tij  është detyruar të shpërngulet në komunën Gjorgje Petrov 2,  ndërsa për festën e Bajramit, 48 vjeçare ka ardhur për t’u pajtuar me djalin. Për fat të keq aty ka takuar dy djem e vëllait, të cilët ishin në gosti, dhe pas kacafytjeve verbale, ka qëlluar në të tretë, duke vrarë dy djemtë e vëllait, 33 dhe 20 vjeçar dhe duke lënë të plagosur djalin e tij. Pastaj ai është kthyer në fshat ndërsa rrugës ka takuar vëllain i cili ishte me veturë dhe ka shtënë në të, para se të vrasë veten”, tha ai.

Për rastin njoftuan edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, por nga atje nuk morëm përgjigje nëse vrasësi kishte leje për armën që posedonte. Nga MPB thanë se ende po punohet në zbardhjen e plotë të rastit./21Media