Tragetet Nuk Janë Histori

Këso kushtesh duhet të provojnë shumë shqiptarë, nëse duan të hyjnë në territorin e Britanisë së Madhe. Fotoja shokuese, në të cilën shihen disa persona të shtrënguar mbi njëri-tjetrin, në një hapësirë tepër të ngushtë, dhe një copë bukë në dyshemenë e pluhurosur, është bërë në terminalin doganor North Shields të Britanisë.

Megjithëse të kujton pamjet e trageteve, në vitet 90-të, pas hapjes së Shqipërisë, fotoja është shkrepur dje. Shqipëria ka përfituar vjet nga liberalizimi i vizave me shtetet e Bashkimit Evropian, por Britania nuk është pjesë e Shengenit.
 
Agjencia Britanike e Kufirit, nëpërmes një komunikate për shtyp, ka njoftuar se nëntë shtetas shqiptarë janë penguar të hyjnë ilegalisht në Britani, pasi u kapën në terminalin e trageteve në North Shields.

Ky është numri më i madh i personave ilegalë që janë gjetur ndonjëherë në këtë port.

Meshkujt, të moshës nga 20 deri në 40 vjeç, ishin zbuluar kur zyrtarët ekzaminuan dy kamionë me targa rumune, që kishin arritur në traget të hënën në mëngjes, nga Holanda.

Udhëtarët u nxorën nga kamioni dhe u morën në pyetje. Pas hetimeve nga oficerët kufitarë, dhe koordinim me autoritetet holandeze, ata u kthyen në Holandë në traget, pasdite të njëjtën ditë. Sipërmarrësi i transportuesit është dënuar me 5.000 £.

John Spence, ndihmësdrejtor në Agjencinë Kufitare Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë se ata përdorin teknologjinë e fundit, qentë nuhatës, si dhe përvojën e ekspertizën e tyre, për të qenë një hap përpara emigrantëve të paligjshëm”.

“Prania e fortë e Agjencisë Kufitare në kufi ndihmon në mbrojtjen e të gjithë vendit nga njerëzit që të hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe pastaj të shpërndahen në të gjithë vendin”, ka thënë Spence.

Nëpërmes një komunikate shtyp, Agjencia britanike e Kufirit thekson se oficerët e tyre përdorin pajisje të teknologjisë së lartë për kërkim, për të luftuar krimin e emigracionit dhe për të zbuluar mallrat e ndaluara dhe të kufizuara që kontrabandistët përpiqen të fusin në ishull.

Ata përdorin një sërë teknikash, përfshirë qentë e zbulimit, detektorët e dioksidit të karbonit, monitorë që zbulojnë rrahjet e zemrës, skanerë si dhe kërkime vizuale për të gjetur udhëtarët e fshehur mirë, drogat ilegale, armët e zjarrit dhe cigaret.