Autobusët e Linjës 3B - Foto: KALLXO.com

Trafiku Urban- Qarkullim me Vështirësi në Bardhosh

Autobusë të kompanive private ishin të rreshtuar edhe sot në Bardhosh, ndërsa në këtë fshat të Prishtinës në magjistralen drejt Podujevës ishte e pranishme edhe policia.

Por autobusët e rinj të Trafikut Urban që e përfshinë edhe këtë fshat në itinerarin e tyre, sot u penguan vetëm në mëngjes.

Adem Arifi, punëtor i Trafikut Urban, tha se për dallim nga dje sot autobusët e kësaj kompanie qarkulluan edhe nëpër vendin ku dje u bllokuan.

“Në mëngjes kemi pasë pak probleme, na kanë thanë që nuk bon me dalë me punu pa u marrë vesh komuna me neve. Deri në ora 9 nuk ka punu fare, në ora 09:10 kemi fillu. Ka pasur shumë udhëtarë që kanë pritë. Dje edhe ma hiq, dje gjithë ditën probleme ka pasur”, tha Arifi për KALLXO.com.

Dje kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti paralajmëroi në Facebook nisjen e qarkullimit të autobusëve të Trafikut Urban në linjën 3, duke treguar se këta autobusë nga Kodra e Trimave do të vazhdojnë rrugën drejt Bardhoshit.

Por në këtë fshat të mërkurën autobusët e Trafikut Urban u bllokuan nga autobusë të kompanive private që qarkullojnë në linjën 3.

Kujtim Deliu përfaqësues i kompanive private që qarkulluan në linjën 3B, tha se Komuna e Prishtinës i solli autobusët e trafikut urban pa paralajmërim.

“Tendencat kanë qenë se para se me u marrë një vendim kanë me u ftu operatorët privatë dhe çdo plan ka me u bo me mirëkuptim të përgjithshëm edhe në pajtim të përgjithshëm, mirëpo kjo nuk ndodhi me linjën 3B në Bardhosh, realisht pa kurrfarë paralajmërimi, pa kurrfarë njoftimi të mëhershëm, vetëm kur e kemi pa se kanë ardhë operatorët publikë, realisht publiko-privat”, tha Deliu për KALLXO.com.

Ai tregoi se kompanitë private “Ardhmëria dhe “Bleri” në linjën 3B kanë operuar që 15 vjet, ndërsa me ardhjen e autobusëve publikë janë përjashtuar.

Deliu tha se operatorët privatë nuk duan bllokada, por duan të takohen me zyrtarë komunalë për ta ditur fatin e tyre.

“Kontakti i parë ka qenë dje, po realisht ata nuk janë tu ardhë, ne jemi ka i presim, as nuk është që e kemi pengu ndonjë punë, as nuk jemi që dojmë me bo bllokada. Ne thjeshtë po dojmë me ditë çka po ndodhë me neve si kontribuues qe 15 vjet” theksoi Deliu.

Por Gazmend Retkoceri, banor i fshatit Bardhosh dhe shfrytëzues i linjës së autobusëve 3B, thotë se autobusët e Trafikut Urban janë të nevojshëm në këtë linjë.

Ai deklaroi për KALLXO.com se kërkesë e banorëve ishte ardhja në këtë linjë e autobusëve të rinj të Prishtinës.

Retkoceri përmendi edhe mangësitë e autobusëve të kompanive private.

“Ka pasur shumë mangësi të tyre, ku kryesorja që i ka shty edhe banorët me kërku trafikun urban gjithmonë ka qenë se këto kompani nuk kanë pranu bashkëpunim ndërmjet veti sidomos për nxënës, për studentë me pasë mujore e cila na ka vështirësu shumë punën. Përveç asaj, të dielave këto kompani nuk kanë punu asnjëherë”, tregoi Retkoceri.