Foto: Ilustrim

Trafikim me Qenie Njerëzore, Kontrollohen 16 Lokale

Njësitet policore për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore të Prizrenit dhe Gjakovës, së bashku me inspektorët komunalë, kanë kryer kontrolle në disa lokacione nën dyshimin e bazuar për trafikim me qenie njerëzore.

Në kuadër të planit operativ “MARSI 2017”, në Prizren janë kontrolluar gjithsej 15 lokale, të cilat gjenden në hapësirat e objekteve biznesore tek Tregu i Gjelbër, ku janë hasur duke punuar gjithsej 17 punëtore femra (13 shtetase të Shqipërisë dhe 4 shtetase të Kosovës).

Prej tyre dymbëdhjetë lokale janë mbyllur me vendim të Inspektoratit Komunal të Prizrenit për shkak të parregullsive që janë gjetur.

Po ashtu, janë konfiskuar 2 dokumente të shtetaseve të Shqipërisë, të cilat dokumente do t’u dorëzohen zyrtarëve të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj.

Ndërsa, në stacion policor është shoqëruar një femër së bashku me një fëmijë 7 muajsh, e cila është hasur duke punuar në njërin nga lokalet e kontrolluara.

Policia njofton se në konsultim me prokurorin e shtetit do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm lidhur me të.

Në Gjakovë, ndërkaq, njësitet për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në mbështetje të inspektorëve të tregut, atyre sanitarë e të punës dhe të ATK-së, si dhe njësiteve të tjera relevante policore, kanë  kontrolluar një lokal në Gjakovë, në të cilin janë legjitimuar gjithsej 4 femra (2 shtetase të Shqipërisë, 1 shtetase e Maqedonisë dhe 1 shtetase e Kosovës).

Dy punëtoret shtetase të Shqipërisë pas intervistimit pritet t’i dorëzohen Njësitit për Migrim dhe të Huaj për të vazhduar me procedura të mëtejme.

Në mungesë të dokumentacionit lokali është mbyllur nga inspektorët komunalë në Gjakovë.