Faton Topalli | Foto: KALLXO.com

Topalli: Një Biletë Aeroplani e Bën Ndryshimin

Faton Topalli që doli sot në një konferencë për gazetarë e kërkoi votën e mërgimtarëve në zgjedhjet e 11 qershorit.

Topalli në konferencë vlerësoi lart potencialin e mërgatës në aspektin ekonomik dhe të resurseve njerëzore.

“Ne i ftojmë të gjithë ata që jetojnë më afër Kosovës që ta blejnë një biletë për të udhëtuar dhe për të votuar fizikisht në Kosovë, ndërsa ata që jetojnë më larg i ftojmë nëpërmjet internetit të votojnë”, tha Topalli.

Ai u shfaq i bindur se pas zgjedhjeve të 11 qershorit do të ndodhë ndryshimi në politikën kosovare.

“Ata luajnë një rol nëse u lejohet pjesëmarrja. Është një moment historik që ndryshimi të vijë. Një biletë aeroplani e bën ndryshimin në Kosovë”, tha Topalli .

Topalli që edhe vetë erdhi nga diaspora dhe ishte deputet i “Vetëvendosjes” deri në shpërbërjen e Kuvendit më 10 maj tha se LVV-ja do të angazhohet “mërgata e Kosovës të kthehet nga objekti në subjekt si në vendin e prejardhjes, ashtu edhe në vendin ku jeton”.

Topalli nuk pranoi pyetje në lidhje me koalicionet e mundshme në të cilat do të përfshihet “Vetëvendosja”, duke paralajmëruar që për këtë çështje do të zhvillohet një konferencë e veçantë.

Por ai nuk tregoi se kur do të zhvillohet kjo konferencë.

Sipas KQZ-së, partitë politike kanë të drejtë të deklarohen për koalicione deri sot në mesnatë.