Jozefina Topalli dhe Arben Imami në konferencë për shtyp më 29 maj 2017 ku kërkuan rrëzimin e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike. Foto: LSA

Topalli dhe Imami Kërkojnë Shkarkimin e Lulzim Bashës

Anëtarja e Kryesisë dhe ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, një nga figurat më të rëndësishme të kësaj partie, deklaroi sot se synon të organizojë një kryengritje brenda partisë së saj për rrëzimin e kryetarit aktual Lulzim Basha.

Topalli, 54 vjeçe, gjatë qeverisjes tetëvjeçare të Partisë Demokratike (2005-2013), mbajti postin e kryetares së Kuvendit, ka qenë deputete e kësaj partie që nga viti 1997 ndërsa e gjeti veten jashtë listave të kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 25 qershorit.

“Unë sot jam këtu për të thënë se është koha për të nisur betejën kundër Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe Ilir Metës. Nuk mund të sundojnë vendin tre vetë që bëjnë garë apo lojë me njëri-tjetrin kush të kapë më shumë nga ajo që është torta e pushtetit”, deklaroi Topalli në një konferencë për shtyp të mbajtur bashkë me Arben Imamin, ish-ministrin dhe ish-deputetin demokrat, i cili ka një histori dashurie dhe përplasjesh me këtë parti.

Imami ka qenë drejtues i kësaj partie në fillesat e saj në vitin 1992 por më pas pati mosmarrëveshje dhe kaloi në opozitë deri në vitin 2005 kur u riafrua sërish.

Në të njëjtën konferencë për shtyp, Imami, i cili gjithashtu nuk e gjeti veten në listat e kandidatëve për deputetë, deklaroi se këto lista janë produkt i vetëm Lulzim Bashës ndërsa i bëri thirrje anëtarësisë së kësaj partie të rrëzojnë kryetarin.

“Nuk mund të largohet Edi Rama me shkatërrimin e PD-së. Vendimi për listat është marrë në shkelje të statutit dhe çdo procedure normale. Si zgjidhje të vetme kërkojmë mbledhjen e forumeve të PD-së, shkarkimin e personit përgjegjës që në këtë rast është kryetari i PD-së, Lulzim Basha”, deklaroi Imami.

Topalli dhe Imami janë vetëm dy nga shumë ish-zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike që e kanë gjetur veten të mënjanuar dhe përjashtuar nga Basha.

Kryetarët e partive politike në Shqipëri zakonisht kanë pasur pushtet të plotë që nga themelimi i jetës politike shumëpartiake në vend në vitin 1991. Zakonisht kryetarët ose janë larguar vetë ose kanë vdekur në postin e kryetarit.

Megjithatë, sfida nga brenda një partie e kryetarit në detyrë është një fenomen i pazakontë.

Lulzim Basha krijoi pakënaqësi të shumta me listat e kandidatëve për deputetë që dorëzoi javën e kaluar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, lista që nuk janë miratuar ende për shkak se nuk plotësojnë kriteret ligjore.

Një pjesë e demokratëve shprehën protestën e tyre në rrjetet sociale ndërsa një pjesë tjetër u përpoq të argumentonte se hartimi i një liste kandidatësh detyrimisht krijon pakënaqësi dhe se Partia Demokratike duhet të mbështetet pa kushte.

Lulzim Basha, 43 vjeç, u katapultua në jetën politike në vendit pak para zgjedhjeve të vitit 2005 dhe ka mbajtur që nga ajo kohë poste të shumta si ministër apo kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Ai u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike pasi Sali Berisha deklaroi tërheqjen e tij pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2013. Ai ndoqi një politikë krize në përballjen me Edi Ramën duke bojkotuar parlamentin gjatë pjesës më të madhe të këtij viti dhe duke kërcënuar me bojkotimin e zgjedhjeve.