Tomë Gashi, avokat

Tomë Gashi Konteston Versionin Zyrtar të Vdekjes së Astrit Deharit

Raporti i mjekëve të caktuar nga familja Dehari është bërë publik sot në një konferencë për media, të cilin e ka prezantuar avokati i familjes Tomë Gashi.

“Ata [mjekët e pavarur] kanë konsideruar se kemi të bëjmë me lëndime në krahun e majtë dhe në pjesë të tjera të trupit që kanë qenë si pasojë e lëndimeve nga mjetet mekanike vetëmbrojtëse. Kjo shpie në përfundim se ka qenë vrasje dhe jo vetëvrasje”, tha Gashi.

Duke iu referuar raportit të ekspertëve të caktuar nga familja, Gashi tha se asfiksia mekanike konsiderohet e dhunshme.

“Lëndimet në pjesën e kokës së Deharit janë shkaktuar me mjete të ngjashme me boksin e hekurt”, tha ai, duke shtuar se edhe në obduksion Astrit Deharit “nuk i janë hequr flokët me qëllim që të fshihen këto plagë”.

Duke folur për lëndimet në dorë, Gashi tha se ato janë vetëmbrojtëse ndërsa i quajti të pavërteta pretendimet e ekspertëve mjekoligjorë të Institutit në Prishtinë se lëndimet në duar janë shkaktuar gjatë transportit të trupit,

Ai gjatë konferencës ka paraqitur foto të dhomës së Astrit Deharit pas vdekjes.

Ndërsa për kryeprokurorin Sylë Hoxha e prokurorin e rastit Metush Biraj, tha se në vend që ta hapin rastin si vrasje apo vdekje të dyshimtë, e kanë hetuar si vetëvrasje.

“Prokurorët kanë keqpërdorur detyrën më 19 nëntor sepse kanë përdorur një raport mashtrues, ku kinse janë përcaktuar shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit për të justifikuar mbyllen e hetimeve”, tha ai.

Raporti i ekspertëve të pavarur për rastin Dehari, sipas avokatit të familjes, Gashi u është dërguar kryeprokurorit Hoxha dhe prokurorit Biraj.

Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, vdiq në dhomën e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren më 5 nëntor të këtij viti.

Ai ishte njëri nga të dyshuarit për sulm me granatë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në fillim të gushtit të këtij viti.