Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

Tolaj: Për shkatërrimin e barërave pa afat, veprova sipas ligjit

Në gjykimin e ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajt dhe pesë zyrtarëve të kësaj Ministrie, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mbrojtjen e ka dhënë i akuzuari Ilir Tolaj.

Tolaj gjatë mbrojtjes së tij ka folur rreth aktivitetit të prokurimit për projektin në lidhje me shkatërrimin e barërave pa afat, për çka tha se kjo kishte qenë kërkesë eksplicite dhe politikë e ministrit të asaj kohe Ferid Agani.

Ai tha se edhe përpara se të realizohej ky projekt, Ministria kishte provuar që këtë aktivitet ta zhvillonte pa kosto, duke kontaktuar me të gjitha kapacitetet në Kosovë të cilat kanë poseduar furra të larta me qëllim të shkatërrimit të barërave, por tha se të gjithë i kishin refuzuar me arsyetimin se temperatura e tyre nuk ishte e mjaftueshme për shkatërrimin e barërave.

Për mosshkatërrimin e barërave deri në atë kohë Tolaj tha se Ministria ka paguar vlera të larta të parave dhe atë deri në 100 mijë euro në vit, kurse në total nga viti 2000 e deri në 2011 kjo vlerë tha se ka shkuar deri në 1 milion e 200 mijë euro, vetëm e vetëm që këto barëra të deponoheshin në depon në Mazgit.

Për implementimin e këtij projekti të shkatërrimit të barërave ai tha se Ministria fillimisht është siguruar që ka një shumë të caktuar të mjeteve financiare të cilat mund të shfrytëzohen e pastaj hapi tjetër kishte qenë përgatitja e dosjes për procesin e prokurimit.

Tolaj deklaroi se fillimisht për këtë projekt ishin zotuar 500 mijë euro. 400 mijë euro tha se ishin zotuar nga ai ndërsa për 100 mijë të tjera tha se janë zotuar nga sekretari, në mungesë të tij.

“Kërkesa për zotim që më është bërë nga departamentet gjegjëse që janë të gjitha këto të involvuara në këtë proces të prokurimit e kanë aprovuar duke e përcaktuar në mënyrë specifike kodin buxhetor prej të cilit duhet të merren këto mjete. Dhe, ky ka qenë kodi buxhetor 713 programi farmaceutik, i cili mbulon të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me barna duke përfshirë blerjen, pagesën e transportit dhe pagesën e qëndrimit në depon doganore, pagesën e distribuimit nga depoja e Ministrisë në institucionet shëndetësore gjegjëse dhe nga ky program kemi paguar edhe shkatërrimin e barnave me afat të skaduar”, deklaroi Tolaj duke shtuar se pagesa e këtij aktiviteti nuk do të kishte qenë e mundur nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë nëse ky aktivitet nuk do të ishte shërbim.

Më pas ai deklaroi se Departamenti i Prokurimit e kishte iniciuar këtë aktivitet me ç’rast kishte përzgjedhur një kompani vendore për ta kryer këtë shërbim, ndërsa personalisht tha se nuk ka marrë pjesë në asnjë komision të vlerësimit në lidhje me aktivitetin e prokurimit për përzgjedhjen e fituesit.

Për kryerjen e këtij shërbimi ai deklaroi se ka qenë e kontraktuar kompania “KMI” Drenas.

“Konform Ligjit të prokurimit publik së pari është kërkuar një plan i menaxhimit të kontratës i cili është dorëzuar nga “KMI “dhe është aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë. Në atë plan të menaxhimit janë specifikuar përpos dinamikës dhe procedurave që duhet bërë në mënyrë specifike nenet e udhëzimeve gjegjëse kur është fjala për klasifikimin e barërave me afat të skaduar”, deklaroi Tolaj.

Ilir Tolaj tha se Ministria e Shëndetësisë së bashku me Ministrinë e Ambientit e kanë krijuar komisionin e vlerësimit për këtë aktivitet të prokurimit për të cilin komision tha se punën e ka kryer në mënyrë optimale dhe se ky komision për mbikëqyrje të kontratës ka dorëzuar dy raporte sa i përket projektit të shkatërrimit të barërave.

Një raport përmbledhës tha se është dorëzuar pas përfundimit të shkatërrimit të barërave të depos në Mazgit dhe depos së Ministrisë së Shëndetësisë me peshën e përveçme dhe totale si dhe gjithashtu edhe një raport tjetër pas përfundimit të shkatërrimit të barërave nga spitalet dhe QKMF-të.

Për këtë komision tha se çdo ditë e ka monitoruar këtë aktivitet përfshirë sasinë dhe mënyrën e shkatërrimit.

Sipas raportit nga ky komision ai tha se në total janë shkatërruar 353 mijë e 900 kg barëra.

Tolaj po ashtu deklaroi se ai e konteston në tërësi ekspertizën e kryer nga eksperti Agim Sheqiri në ekspertizën e të cilit tha se është paraqitur një sasi diametralisht e kundërt e barërave me sasinë që është konstatuar nga komisioni.

Për të argumentuar kundërshtimin e kësaj ekspertize, ai në sallën e gjykimit e bëri demonstrimin e peshës së një medikamenti me anë të peshores digjitale, me anë të së cilës e pasqyroi peshën e një medikamenti të shënuar në ambalazh dhe peshën reale të tij në tërësi.

Këtë shembull ai e bëri duke peshuar vlerën e një kapsule, në ambalazhin e së cilës shënohej pesha 500 mililitra ndërsa pesha reale e së cilës kur u peshua doli të jetë 800 mililitra si dhe të një shurupi në ambalazhin e të cilit pesha e tij shënonte 100 mililitra por në peshore doli që pesha e tij e përgjithshme se bashku me ambalazh është 195 gramë.

Me këtë shembull ai tha se mund të vërehet se në barëra nuk shënohet pesha e ambalazhit dhe se këto pesha nuk janë identifikuar me rastin e identifikimit nga eksperti, prandaj po të cekej vlera që ceket në ambalazh atëherë me rastin e matjes në peshore ajo  dallon nga shuma e përgjithshme e cila tha se realisht del të jetë pothuajse dyfish.

Në fund Tolaj tha se nën kompetencat e tij ai ka ndërmarrë çdo gjë e cila ka qenë e paraparë me ligjet ekzistuese si dhe autorizimet i ka ndërmarrë në plotësi duke mos e favorizuar askënd direkt apo indirekt.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.

Gjykimi i ish-sekretarit dhe zyrtarëve të MSh-së është rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave.