Thirrje për Bashkim të Tregjeve Energjetike Rajonale

Kjo është thënë në Forumin e Dytë të Nivelit të Lartë për Energji “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut”, e cila është organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe USAID-i.

Thirrje për rritje të bashkëpunimit energjetik në rajon ka bërë edhe Luigi Brusa, përfaqësues i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë.

“Kosova është pjesë e një rajoni që mund të përfitojë shumë nga aspekti ekonomik dhe mjedisor nëse resurset kombinohen dhe funksionalizohen së bashku, për këtë arsye agjenda e konektivitetit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është prioritet në kuptim të integrimit të tregut rajonal dhe adresimit të barrierave të politikave të energjisë dhe duke dhënë vlerë të shtuar për projektet e infrastrukturës”, tha Brusa.

Në Forumin e Dytë të Nivelit të Lartë për Energji u diskutua për strategjinë e energjisë dhe liberalizimin e tregut.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, theksoi se tashmë janë caktuar pesë objektiva themelorë, të cilët do të gjenerojnë një investim prej rreth 3 miliardë eurove në sektorin e energjisë. Parimi i parë sipas tij është ndërtimi dhe rehabilitimi i kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike. Synime tjera të qeverisë sipas tij janë edhe integrimi në tregun rajonal të energjisë, zgjerimi i sistemeve termike, zhvillimi i infrastrukturës së gazit, si dhe arritja e caqeve në kuadër të zbatimit të masave të efiçiencës, të realizmit të investimeve me burimet e ripërtërishme të energjisë dhe përmbushjes së obligimeve ndaj Traktatit të Marrëveshjes së Energjisë.

Këto objektiva do të arrihen vetëm duke respektuar synimet tjera të qeverisë.

“E para ajo që lidhet me sigurimin e furnizimit stabil dhe cilësor me energji elektrike. E dyta ka të bëjë me përballueshmërinë e çmimeve për bizneset dhe qytetarët. E treta që masat të jenë në përputhje me standarde mjedisore. Dhe e katërta që të ngriten sa  më shumë investime private dhe të krijohen vende të reja pune”, tha Stavileci. Si hap pozitiv, ministri Stavileci e cilësoi edhe miratimin e pakos së tretë të ligjeve për energji sepse sipas tij do të hapë rrugën për tek liberalizimi i tregut dhe i çmimeve.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” është prioritet i parë i qeverisë në fushën e energjisë elektrike.

“Përfundimi i suksesshëm i këtij termocentrali konsideroj që drejtpërsëdrejti do të ndikojë në krijimin e kushteve afatgjate  për zhvillim ekonomik dhe rimëkëmbje ekonomike, do të ofrojë kushte të cilat do t’i sigurojnë investitorët e jashtëm dhe të brendshëm”, tha Mustafa.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie tha se Kosova ka telashe me furnizimin me energji elektrike përkundër shumë arritjeve në këtë fushë.

“Përkundër arritjeve situata ende mbetet e brishtë veçanërisht me një rrjet energjetik që furnizohet nga dy termocentrale të vjetruara, nëse ndonjëri prej tyre bie atëherë situata në Kosovë do të ishte në hall të madh”, tha Delawie.

Sipas tij, miratimi i pakos së tretë të ligjeve dhe strategjisë së energjisë është themel për zhvillimet e ardhshme në sektorin e energjisë.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli tha se Banka Botërore do të vazhdojë t’i ndihmoj Kosovës në ndërtimin e një termocentrali të ri, por pa e lënë prapa edhe zhvillimin dhe zbatimin e strategjive.

Por, ai tha se përkrahja e Bankës Botërore është e ndërlidhur me plotësimin e disa parakushteve nga Qeveria e Kosovës. Parimi i qëndrueshmërisë financiare, përmbushja e standardeve mjedisore dhe shoqërore, si dhe përballueshmëria, që nënkupton nivelizimin e tarifave që të mbrojë njerëzit në nevojë.

“Qasja e qeverisë është gjithëpërfshirëse për shkak se përfshin nevojën e pashmangshme për të krijuar njësi të reja të gjenerimit në baza termike, për të konsideruar edhe aspektet e efiçiencës dhe energjisë së ripërtërishme, që vë theks të konsiderueshëm edhe në integrimin e tregut në nivel rajonal. Ne vazhdojmë të jemi të zotuar t’i ndihmojmë Kosovës të shkojë tutje me strategji dhe zbatimin e strategjisë duke përfshirë edhe ndërtimin e një termocentrali të ri me djegie të thëngjillit”, tha Mantovanelli.

Luigi Brusa, përfaqësues i Zyrës së Bashkimit Europian, theksoi se prioritet i BE-së mbeten reformat e sektorit energjetik sepse sipas tij, Kosova mund të përfitojë shumë ekonomikisht nga kombinimi i resurseve me vendet në rajon.

“Reformat e sektorit energjetik mbesin një prej prioriteteve të BE-së në Kosovë. Një furnizim i pandërprerë i energjisë, menaxhimi i humbjeve të energjisë, niveli i ulët i efiçiencës së energjisë, më tutje kanë ndikim negativ në ekonomi dhe zhvillimin e sektorit privat në Kosovë dhe Kosova nuk ka kohë për të humbur. Kosova mund të përfitojë shumë nga aspekti ekonomik nëse resurset kombinohen dhe funksionalizohen së bashku”, tha Brusa.

Arritjet kryesore në 12 muajt e fundit ishin: Zhvillimi i strategjisë së energjisë dhe miratimi nga qeveria, miratimi i pakos së ligjeve të reja të energjisë në pajtim me pakon e tretë të ligjeve të energjisë, inicimi i procesit të liberalizmit në faza për tregun me shumicë dhe pakicë, si dhe dy furnizues të rinj të licencuar nga ZRrE-ja.

Ndërkohë, sfida konsiderohen kontrollimi i vazhdueshëm i linjave ndërkufitare të Kosovës nga Serbia, gjë që i shkakton Kosovës humbje vjetore prej 20 milion eurove në vit, si dhe rrjeti europian i operatorëve të sistemit të transmisionit për energji elektrike që nuk implementohet nga 1 tetori i vitit 2015 si pasojë e pengesave politike.