Thirren Protesta Kundër Qeverisë së Zoran Zaevit

Teksa lideri i opozitës në Maqedoni kërkoi të drejtën për të formuar qeverinë, një iniciativë e re e përbërë nga mbështetës të ish-partisë në qeverisje, VMRO DPMNE lajmëroi mbajtjen e një proteste në Shkup të hënën.

“Iniciativa Qytetare për Maqedoninë e Bashkuar”, një grupim i ri i shfaqur së fundmi në Maqedoni, i bëri thirrje maqedonasve etnikë të marrin pjesë në një tubim të hënën në orën 5 pasdite para parlamentit në Shkup, në mbrojtje të interesave kombëtare që sipas tyre rrezikohen.

NDËRLIDHUR

Ata thanë se marrëveshja e liderit të opozitës, Zoran Zaev me partitë etnike shqiptare për formimin e një qeverie të re do ta bënte Maqedoninë në një shtet federal, duke kërcënuar ekzistencë e shtetit.

“Kërkojmë që të gjitha partitë politike të refuzojnë platformat e krijuara për interesa të huaja në vende të huaja, pa legjitimitet elektoral, synimi i të cilave është shkatërrimi i Maqedonisë që njohim,” tha iniciativa në një deklaratë për shtyp.

Iniciativa e panjohur më parë këmbënguli se nuk kishte lidhje me ish-partinë qeverisëse VMRO DPMNE, e cila gjatë fundjavës tha se do ta refuzonte qeverinë e re dhe bëri thirrje për “mobilizim” të mbështetësve për mbrojtjen e vendit.

Protesta vjen mes shqetësimeve në rritje për tensionet e mundshme në vend mbi ndryshimin e mundshëm të pushtetit pas qeverive të kryesuara nga VMRO DPMNE prej 11 vjetësh.

Më herët të hënën, lideri social demokrat, Zaev, përsëriti se kishte mbështetje të 67 nga 120 deputetë në parlament dhe premtoi për “një transferim paqësor dhe të shpejtë të pushtetit në Maqedoni”.

Duke hyrë në presidencë për të kërkuar mandatin për qeverinë e re, ai tha se priste që presidenti Gjorge Ivanov t’i ofronte atij mandatin të hënën ose të martën.

Gjatë fundjavës, Zaev tha se ai më në fund mori mbështetjen e dhjetë deputetëve nga partia etnike shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim dhe nga dy parti më të vogla shqiptare, Besa dhe Aleanca për Shqiptarët.

Nuk është ende e qartë megjithatë, nëse partitë shqiptare do t’i bashkohen koalicionit të ri qeveritar të drejtuar nga Zaev apo vetëm do të ofrojnë mbështetjen për një qeveri të pakicës. BDI tha se do ta vendosë këtë çështje në ditët në vazhdim.

Zaev, partia e të cilit ka 49 deputetë, fitoi mbështetjen e partive shqiptare pasi ra dakord me kërkesën e tyre për një ligj të ri të shtrirjes së shqipes nëpër të gjithë Maqedoninë.

Ai ra gjithashtu dakord për disa kërkesa të tjera të të ashtuquajturës platformë shqiptare që synon të sigurojë barazi për shqiptarët në Maqedoni.

Aktualisht shqipja është gjuhë zyrtare vetëm në ato zona ku shqiptarët përbëjnë të paktën 20 për qind të popullatës.

Partitë shqiptare ranë dakord për kërkesat e tyre pas një takimi në Tiranë, të organizuar nga kryeministri shqiptar Edi Rama.

Kreu i VMRO DPMNE Nikola Gruevski këmbënguli se Zaev ka tradhtuar interesat kombëtare maqedonase duke i dhënë shumë lëshime shqiptarëve.

Maqedonia nuk ka formuar ende një qeveri të re, që prej zgjedhjeve të përgjithshme më 11 dhjetor, të cilat përfunduan në rezultat të ngushtë mes VMRO DPMNE dhe LSDM.

Vonesa ka ndodhur kryesisht të shkak të pavendosmërisë së BDI për të vendosur se cilët do të mbështesë pas zgjedhjeve.

Partia, që ka qenë partnere në koalicion me VMRO DPMNE që nga 2008, tha se Gruevski më parë i pranoi të gjitha kushtet për qeverinë e re, të cilat ai tani pretendon se janë të papranueshme.

Por BDI tha se ai nuk ra dakord me kërkesën e tyre për të zgjatur mandatin për Prokurorinë Speciale që investigon krimin në nivel të lartë.

27 Shkurt 2017 - 20:29

Sinisha Jakov Marushiq, BIRN 27/02/2017 - 20:29
NDËRVEPRIMI0