Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Thaçi: Ushtria Krijohet deri në Fund të Vitit

Derisa po qëndron në New York në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Presidenti Thaçi është pyetur nga RTV 21 për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nëpërmjet transformimit të FSK-së.

Thaçi që i kishte nisur procedurat për transformim të FSK-së nëpërmjet ndryshimeve ligjore në mars të këtij viti, u tërhoq më pas nga kjo nismë, pas presionit ndërkombëtar që FSK-ja të transformohet me ndryshime kushtetuese.

Për t’u bërë ndryshime kushtetuese duhet edhe pajtimi i komuniteteve pakicë, ndërsa Lista Serbe nuk është treguar e gatshme për ta mbështetur krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Ne do t’i kryejmë obligimet tona që kemi marrë edhe karshi bashkësisë ndërkombëtare që ky proces të përmbyllet përmes ndryshimeve kushtetuese”, tha Thaçi në intervistë.

Megjithatë, Presidenti e përmendi se askush nuk mund t’ia mohojë të drejtën Kosovës që të formojë ushtrinë edhe me ndryshime ligjore.

“Do të punojmë shumë që të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese, por ne kemi edhe të drejtën ligjore dhe nuk do të lejojmë që askush të vëjë veto në këtë drejtim”, tha Thaçi.

Ai më tutje dha afat se kur do të krijohen Forcat e Armatosura, duke e konsideruar plan A transformimin me ndryshime kushtetuese e plan B transformimin me ndryshime ligjore që nuk kërkojnë votën e shumicës së dyfishtë.

“Dua të shpresoj dhe besoj që do të jetë një proces i planit A, përndryshe ne jemi aty edhe për planin B, por Kosova do ta ketë me planin A ose B ushtrinë e vet deri në fund të vitit”, deklaroi Thaçi.

Ai mohoi kategorikisht se çështja e ushtrisë do të diskutohet në bisedimet e Brukselit me Serbinë.

“Në asnjë rrethanë kjo çështje nuk diskutohet me Serbinë, kjo është e drejtë e jona kushtetuese. Vendimet tona janë ato që i marrim ne vetë. Koosva ka Zot dhe ai zot janë vtë qytetarët e Kosovës dhe bartësit e institucioneve, gjithë spektri politik”, sqaroi Thaçi.

Ai konstatoi se së shpejti në FSK komunitetet pakicë do të jenë të përfaqësuara në kuotën e 10 përqindëshit.

Tha se FSK-ja nuk po transformohet për ta rrezikuar ndokë.

“Forcat e armatosura të Kosovës nuk themelohen për t’u drejtuar kundër askujt, përkundrazi që të jenë në shërbim të gjithë njerëzve të Kosovës, pa dallim etnik”, konstatoi Thaçi.