Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Foto: ZPRK

Thaçi Uron Sekretarin e Ri të OKB-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar Sekretarin e ri të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, për marrjen e detyrës.

Në telegramin e urimit, presidenti Thaçi ka shprehur bindjen dhe besimin e tij për përkushtimin e sekretarit Guterres në forcimin e rolit të organizatës më të rëndësishme globale të kombeve dhe shteteve të lira.

Në telegramin e tij, presidenti Thaçi shkruan se Republika e Kosovës si shtet i ri dhe demokratik po jep kontribut të vazhdueshëm për paqen në rajon, për rritjen e bashkëpunimit me shtetet fqinje dhe realizimin e synimeve euroatlantike.

“Shteti ynë dhe institucionet e tij zotohen për bashkëpunim të ngushtë me Ju dhe mbeten të përkushtuara në rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara”, thuhet po ashtu në telegram.

“Shpreh bindjen dhe kam besim të plotë për përkushtimin tuaj në forcimin e rolit të organizatës më të rëndësishme globale të kombeve dhe shteteve të lira”, thuhet në fund të telegramit të presidentit Hashim Thaçi.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka zgjedhur më 13 tetor ish-kryeministrin portugez, Antonio Guterres, sekretar të përgjithshëm të OKB-së.

Guterres e zëvendëson jugkoreanin Ban Ki-moon, i cili në krye të OKB-së qëndroi për dy mandate pesëvjeçare.

Presidenti Thaçi i qe gëzuar zgjedhjes së Guterresit në postin e Sekretarit të Përgjithshëm, duke theksuar se ai ka kontribuar në çlirimin e Kosovës më 1999.

http://kallxo.com/thaci-guterres-kontribuoi-per-clirimin-e-kosoves/