Thaçi u dorëzon flamurin alpinistëve

Thaçi ua Jep Flamurin Alpinistëve që Synojnë Everestin

Një grupi alpinistësh kosovarë që synojnë të ngjiten në majën më të lartë të botës, në Everest të Himalajeve, Presidenti Hashim Thaçi ua dorëzoi sot flamurin e Kosovës për ta vendosur atje.

“Jam i vetëdijshëm për rreziqet që paraqet kjo ekspeditë dhe do t’ju mbështesim në çdo hap”, u tha Thaçi alpinistëve sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca.

Nazmi Hasanramnaj, Qëndrim Sopi, Arineta Mula dhe Haki Hasanramaj janë alpinistët që kanë për qëllim të ngjiten në majën që njihet si “çatia e botës”.

Sipas komunikatës së Presidencës, udhëheqësi i grupit të alpinistëve Nazmi Hasanramaj teksa shpjegoi se qëllimi i ekspeditës është promovimi i shtetësisë së Kosovës dhe paqes, siguroi Presidentin se flamuri i dhuruar prej tij do të valojë në Everest.

“Qëllimi final është ngritja e flamurit të Kosovës në Everest, që sot na dhuruat”, tha Hasanramaj.

Katër alpinistët, sipas Nazmi Hasanramajt, janë duke u pritur që tre vjet për ngjitje në Himalaje.

“Tash e tre vjet jemi duke u përgatitur. Përgatitjet psikofizike jemi duke i vazhduar intensivisht, ndërsa profesionalisht dhe shpirtërisht jemi përgatitur për të gjitha sfidat, rreziqet dhe sakrificat e mundshme që mund të na presin atje”, tha Hasanramaj.

Në komunikatë tregohet se Thaçi u tha alpinistëve që vendosja e flamurit të Kosovës në majën më të lartë të botës “do të jetë një lajm i jashtëzakonshëm për republikën tonë”.

Vargmalet e Himalajeve janë malet më të larta në planet. Maja e Everestit është e lartë 8 mijë e 848 metra.