Presidenti Thaçi pret në takim zyrtarë të Kongresit amerikan - Foto: ZPRK

Thaçi: Të Pakompromis në Luftimin e Radikalizmit dhe Terrorizmit

Prezenca amerikane në Ballkan është qenësore për paqen, zhvillimin dhe integrimin e rajonit, ka thënë presidenti i Kosovës gjatë takimit me kongresmenin Devin Nunes, kryesues i Komitetit të Inteligjencës në Kongresin amerikan.

Gjatë këtij takimi, ku të pranishëm ishin edhe George Pappas, këshilltar i lartë në Komitetin e Inteligjencës dhe ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie, Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është faktor stabiliteti në rajon dhe konfirmoi përkushtimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet.

NDËRLIDHUR

“Jemi të pa-kompromis në luftimin e radikalizmit dhe terrorizmit”, citohet të ketë thënë presidenti sipas një komunikate të Presidencës.

Kongresmeni Nunes u shpreh se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajonin e Evropës Juglindore.

Po ashtu, presidenti Thaçi ka falënderuar kongresmenin Nunes për përkrahjen e vazhdueshme të ShBA-së për Kosovën.

“Jemi partnerë dhe miq, kemi marrëdhënie të veçantë, sepse ndajmë dhe angazhohemi për të njëjtat vlera”, është shprehur Thaçi.

Sipas komunikatës së Presidencës, presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova në vetëm një dekadë si shtet ka arritur suksese të mëdha në ndërtimin e institucioneve demokratike, ekonomisë dhe sundimit të ligjit.

 

31 Korrik 2017 - 13:51

Naser Sertolli 31/07/2017 - 13:51
NDËRVEPRIMI0