Hashim Thaçi, President i Kosovës

Thaçi: Të Pajtohemi me të Kaluarën për Ndërtimin e së Ardhmes

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi ka treguar se janë duke punuar në iniciativën e Ekipit Përgatitor për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Kjo iniciativë, sipas Thaçit, ka për qëllim mbylljen e kapitullit të luftës për të hapur kapitullin e paqes për gjeneratat në vijim.

Thaçi, tha se kjo iniciativë është komplekse dhe me shumë pikëpyetje, por është shprehur i kënaqur me përkrahjen e madhe që u është bërë nga ambasadat, organizatat ndërkombëtare, familjarët e të pagjeturve, shoqëria civile, etj.

“Kanë kaluar gati dy dekada që nga përfundimi i luftës. Kur sot udhëton në Kosovë gati se nuk sheh më gjurmë të konfliktit, por kanë mbetur ende plagë në zemrat e viktimave. Këto shpesh bëhen pengesë për të ardhmen e vendit tonë. Prandaj kam iniciuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtim që ta mbyllim kapitullin e luftës duke e hapur atë të paqes për gjeneratat të cilat vijnë”, tha Thaçi.

Gjithashtu synim i këtij ekipi, sipas Presidentit, është ndërtimi i një narrativi të unifikuar për të kaluarën tonë.

“Ajo që synojmë me komisionin është që të ndërtojmë një narrativ të unifikuar për të kaluarën tonë. Të pajtohemi me të kaluarën, jo të luftojmë për të kaluarën. Kështu do të pajtohemi për ndërtimin e së ardhmes”, u shpreh Thaçi.

Thaçi ka thënë gjithashtu që përkrahja dhe angazhimi i ambasadave do të jetë i nevojshëm edhe në muajt dhe vitet në vijim.

E ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connelli i cili ishte i ftuar në këtë konferencë, e ka përkrahur këtë iniciativë duke thënë se do ta ndihmojnë për çfarëdo që të kenë nevojë.

Megjithatë, sipas tij, kosovarët vetë duhet ta drejtojnë procesin.

“E vlerësojmë shumë këtë iniciativë. Është shumë e mirëseardhur dhe shumë e nevojshme për Kosovën. Është e qartë se kosovarët duhet ta drejtojnë procesin edhe ne si ndërkombëtarë, si miqtë e Kosovës, mundemi me ju mbështet po ky është projekt për Kosovën”, tha O’Connell duke shpresuar se do të ketë rezultate.

Kurse, përfaqësuesi i familjarëve të të pagjeturve Bajram Qerkini, tha se ky proces është vonuar, pasi ky projekt ka për qëllim zbulimin e së vërtetës.

“Kjo është për të ditë të vërtetën, tek po ia nisim një problem kogja të madh. Nuk jemi ngutur, po jemi vonu se fëmija jonë duhet ta dinë të vërtetën, por edhe duhet të pajtohen me të vërtetën”, tha Qerkini.

Ndryshe, Ekipi Përgatitor për të Vërtetën dhe Pajtimin do të përbëhet nga 9 persona- 5 nga ta do të jenë nga shoqëria civile, kurse 4 do të përfaqësojnë institucionet.

KALLXO.com ka shkruar edhe për takimet tjera të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.

http://kallxo.com/thaci-nis-idene-per-pajtim-por-perballet-me-nje-shembull-te-deshtuar/

http://kallxo.com/thaci-pajtimi-nuk-arrihet-harrese/