Thaçi Takon Ambasadorët e Vendeve të Quint-it

Presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sonte në një takim ambasadorët e vendeve të Quint-it (SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë).

Në këtë takim, i cili është i mbyllur për mediat, po merr pjesë edhe zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Evro-Azinë, Hoyt Brian Yee.

Po ashtu, takimit i është bashkuar edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Takimi zhvillohet disa orë pasi Hashim Thaçi ka bërë betimin si president i Republikës së Kosovës.

Hashim Thaçi është zgjedhur president nga Kuvendi më 26 shkurt. Ceremonia e inaugurimit do të mbahet nesër në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.