Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com
Thaçi: Specialja 100 % Bashkëpunim me Beogradin
Në kuadër të vizitës së saj të parë në Kosovë si kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja Ekaterina Trendafilova zhvilloi takime me shoqërinë civile dhe zyrtarë qeveritarë.
Gjatë kësaj vizite Trendafilova nuk u takua me presidentin Hashim Thaçi.
Për këtë presidenti për RTV21 ka thënë se është për të ardhur keq se përfaqësuesit e Gjykatës Speciale nuk bashkëpunojnë me Kosovën, ndërsa kanë vizita të rregullta me Beogradin.
“Pyetja duhet parashtruar atyre se përse nuk u takuan me bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës, kur Tribunali është i Kosovës, ndërsa mohohet dhe injorohet në mënyrë ekstreme bashkëpunimi me institucionet e Kosovës, ndërsa është një bashkëpunim mbi 100 përqind me Beogradin”, tha presidenti.
Ai theksoi se është shumë keq për vendin që tani rolin e zëvendësit dhe agjendës së Tribunalit e prezanton Ministria e Drejtësisë së Serbisë, shkruan rtv21.tv.
I pyetur se a mund të jetë sinjal për aktakuzat e para nga Gjykata Speciale vizita e Trendafilovës, Thaçi tha se nuk mund të flasë në emër të Tribunalit e as të Gjykatës.
Në vizitën e saj në Kosovë, Trendafilova theksoi se dhomat e specializuara janë të pavarura dhe nuk do të ketë ndërhyrje politike.
Trendafilova është emëruar më 14 dhjetor të vitit 2016 si kryetare e Dhomave të Specializuara./21Media