Thaçi: Skënderbeu, Mbrojtës i Civilizimit Europian

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi foli lidhur me aktivitetet që do të mbahen për nder të vitit të Gjergj Kastriotit ‘Skënderbeu’.

Në 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar, Presidenti kujtoi veprat e tij të cilat i vlerësoi me impakt mbi Evropën.

“Gjergj Kastrioti, i cili në krye të shtetit të Arbrit i bëri qëndresë pushtimit të Perandorisë më të madhe të kohës, asaj Otomane .Gjergj Kastrioti u quajt me të drejtë atlet i krishterimit dhe mbrojtës i civilizimit perëndimor”, shkroi Thaçi.

Ai gjithashtu në Facebook tregoi lidhur me mënyrën e portretizimit të figurës së ‘Skënderbeut’, në aktivitetet shtetërore për këtë vit.

“Përgjatë vitit 2018, me aktivitete kulturore, shkencore dhe akademike do të kujtohet dhe do të ndriçohet në shumë dimensione figura e kryeheroit tonë kombëtar, kudo në trojet shqiptare”, përfundoi ai.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me aktivitetet shtetërore për shënimin e ‘Vitit të Skënderbeut’.