Thaçi: Shkencëtarët Tanë të Nivelit Evropian

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ngriti lartë aftësitë dhe punën e komunitetit shkencor në Kosovë, duke e vlerësuar në nivel më të lartë se rajoni dhe në hapa evropianë.

Në hapjen zyrtare të ‘”Javës së Shkencës” në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi u bëri thirrje shkencëtarëve të Kosovës që të mos lakmojnë rajonin por të punojnë më mirë se ta.

“Ju ftoj si president i vendit, me zotimin për mbështetje të plotë, për juve, angazhimeve tuaja, idetë tuaja, projektet tuaja, të mos i lakmoni rajonit. Ju duhet të ecni më shpejt dhe më mirë se rajoni. E keni potencialin, e keni mbështetjen, e keni dijen dhe këtë dije duhet ta bartni te gjeneratat e reja”, tha presidenti.

Ndërsa, Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjis[ vlerësoi se investimi në shkencë është investim në të ardhmen.

“Republika e Kosovës si një shtet i ri është një vend i mundësive të mëdha sepse ne kemi një kapital njerëzor, kemi një rini jashtëzakonisht inteligjente të cilës jemi të obliguar t’i ofrojmë një arsim cilësor, një arsim i cili gjithmonë kombinohet me komponentët shkencorë”, theksoi ministri.

Kurse, Myzafere Limani, kryetare e Këshillit Shkencor theksoi nevojën që ka vendi ynë për kërkime shkencore, t[ cilat sipas saj do t[ rezultonin me zhvillim ekonomik.

“Si shoqëri në tërësi duhet të vetëdijesohemi se Kosova ka nevojë të pakushtëzuar për më tepër shkencë, më tepër kërkime shkencore cilësore dhe pa mëdyshje më tepër zhvillim ekonomik”, tha ajo.

Java e shkencës në Kosovë u shpall zyrtarisht e hapur sot dhe do të vazhdojë më 11, 12 dhe 13 maj.

Në këtë konferencë vjetore ftohen shkencëtarët e të gjitha trevave që t’i paraqesin abstraktet e tyre të arritjeve shkencore gjatë një viti.