Hashim Thaçi| Foto: KALLXO.com

Thaçi: Shkenca në funksion të zhvillimit ekonomik

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të marrë pjesë në Konferencën Kombëtare Vjetore të Shkencës “Java e Shkencës 2018”, të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Në një postim në profilin e tij zyrtar të facebook-ut Presidenti Thaçi tha se shkenca duhet të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.

“Potenciali ynë njerëzor, shkencor dhe kulturor është gjithmonë mbështetje e fuqishme në proceset që kalon vendi ynë”, shkroi ai.

Sipas tij, Kosova dhe asnjë vend nuk mund të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme, pa investuar në mënyrë serioze në kapitalin njerëzor.

Në hapjen e “Javës së Shkencës”, Presidenti Thaçi u kërkoi shkencëtarëve kosovarë që të përqendrohen më shumë në energji të reja shkencore që premtojnë reforma në qasjet e dijes dhe shkencës, për të përmbushur më mirë kërkesat e tregut të punës dhe të realitetit të ri europian.