Presidenti Hashim Thaçi - Foto: Facebook

Thaçi Sërish Paralajmëron Padi Kundër Serbisë për Gjenocid

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, presidenti Thaçi teksa ka kujtuar masakrat e kryera nga forcat serbe para 18 vjetësh kundër civilëve në Poklek e Çikatovë të Vjetër, ka thënë se shteti i Kosovës shumë shpejt do ta padis Serbinë për gjenocid në Kosovë.

“Edhe sot bashkëndjejmë me dhimbjen e këtyre familjeve. Populli dhe shteti i Kosovës asnjëherë nuk do t’i harrojë këto krime dhe shumë shpejt do ta padis Serbinë për gjenocid në Kosovë”, ka shkruar ai.

Presidenti Thaçi ka kujtuar masakrën e kryer 18 vjet më parë në Poklek të Drenicës, “ku forcat serbe vranë dhe masakruan mbi 54 anëtarë të familjes Muqolli dhe Elshani, shumica prej tyre gra, pleq dhe fëmijë”.

“Në të njëjtën ditë, ato vranë edhe 24 shqiptarë në fshatin Çikatovë e Vjetër”, ka shkruar Thaçi.

Më 4 prill, presidenti Thaçi kishte paralajmëruar për mundësinë e ngritjes së padisë kundër Serbisë për gjenocid të kryer në Kosovë.

Analistë dhe ekspertë kosovarë e pritën me skepticizëm këtë paralajmërim të tij, duke thënë se diçka të tillë Thaçi kishte paralajmëruar edhe një vit më herët por nuk ndodhi asgjë.

http://kallxo.com/skepticizem-rreth-planit-te-kosoves-per-padi-per-gjenocid/

Hashim Thaçi kishte paralajmëruar padi kundër Serbisë për gjenocid edhe në shkurt të vitit 2015. Atëherë, Thaçi ishte zëvendëskryeministër.

http://kallxo.com/thaci-do-ta-padisim-serbine-per-gjenocid/