Ilustrim

Thaçi: Rugova do të Nderohet si President i Parë i Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një postim të tij në profilin e tij në ‘Facebook’, ka shkruar se Ibrahim Rugova do të kujtohet dhe do të nderohet gjithmonë si president i parë i Kosovës.

Thaçi shkroi se ish-presidenti Rugova u angazhua politikisht në kohën kur ‘pushteti i Millosheviqit e zhveshi Kosovën nga të gjitha të drejtat politike, administrative dhe kombëtare’.

Sipas Thaçit, ishte Rugova ai që udhëhoqi një politike të rezistencës paqësore.

“Brenda një periudhe dhjetëvjeçare udhëhoqi një politikë të rezistencës paqësore, duke shprehur vullnetin e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, me orientim nga vlerat perëndimore”, ka shkruar Thaçi.

“Pas çlirimit të Kosovës, presidenti Rugova ishte pjesë e të gjitha ngjarjeve dhe vendimeve të konsolidimit të shtetit të Kosovës, deri në momentin e vdekjes”, shkruan më tutje Thaçi.

Sot shënohet 12 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në përvjetorin e 12-të të vdekjes së tij u bënë homazhe te varri i tij në Velani dhe te familja Rugova, ndërkaq në ora 12:00 në hotelin “Emerald” u mbajt edhe një akademi përkujtimore.

Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi atë me urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut.

Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore