Thaçi reagon pas vdekjes së 14 vjeçarit në Kamenicë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dënoi dhunën në familje, pas rastit të raportuar të një 14 vjeçari që dyshohet se u mbyt nga babai i tij.

Thaçi tha se dënon dhunën në familje që sipas tij qëndron jashtë traditave tona familjare.

“Jam i prekur thellë nga vrasja e të miturit 14 vjeçar nga Karaçeva e Komunës së Kamenicës. Dhuna në familje është e patolerueshme, në kundërshtim me vlerat që kemi krijuar si shoqëri dhe kundër traditës sonë. Familja gjithmonë ka qenë e shenjtë dhe e tillë duhet të mbetet, të kultivohet dhe ruhet nga të gjithë. Ky rast i rëndë, duhet të zgjojë ndërgjegjen e të gjithëve, për të punuar më shumë dhe më vendosmërisht për të parandaluar çdo formë të dhunës në familje”, shkroi ai në Facebook.

Sipas prokurorisë, babai i të miturit kishte rrahur me shkop druri djalin.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku tha për KALLXO.com se shkaqet e dhunës së prindit ndaj fëmijës ishin një shumë e parave prej 1 mijë eurosh të cilat dyshoheshin se janë marrë nga fëmija.

“I pandehuri, babai i fëmijës ka qëndruar disa ditë në një banjë shëruese dhe më pas është kthyer në shtëpi. Kur është kthyer e ka vërejtur se i kanë munguar 1 mijë euro nda 3 mijë sa kishte pasur. Babai ka dyshuar se paratë ia ka marrë fëmija i tij i cili ishte 14 vjeç. Ky ishte shkaku që ka shtyrë babain të rrahë me shkop druri për vdekje djalin e tij 14 vjeçar”, tha Maloku për KALLXO.com.

http://kallxo.com/prokurori-jep-detaje-per-vdekjen-e-femijes-ne-kamenice-si-pasoje-e-dhunes-nga-babai/