Presidenti Hashim Thaçi | Foto: Atdhe Mulla

Thaçi: Ratifikimi Sjell Liberalizimin dhe Ushtrinë

“Në aspektin afatshkurtër, ratifikimi i demarkacionit mundëson thyerjen e izolimit, pra lëvizjen pa viza dhe gjithashtu formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe fillimin e procesit zyrtar për anëtarësim në NATO,” shkroi Thaçi në Facebook.

Sipas Thaçit ratifikimi i marrëveshjes ia lë Kosovës të pakryer vetëm demarkacionin me Serbinë.

“Me këtë marrëveshje, Kosova çimenton tre nga katër kufijtë e saj shtetërorë në mënyrë konsensuale dhe të pranuar ndërkombëtarisht, e pastaj mbetet vetëm demarkacioni i kufirit me Serbinë, i cili në kuadër të integrimit evropian, në një të ardhme të afërt do të jetë i pashmangshëm për këtë shtet<” shkroi më tutje Thaçi.

Ndryshe nga opozita dhe disa ekspertë që konsiderojnë se Kosova humb tokë nga marrëveshja e demarkacionit, Thaçi, por edhe Kryeministri Mustafa vazhdimisht bëjnë thirrje që demarkacioni të kalojë, kohëve të fundit të bazuar edhe në deklaratat e zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden që vizitoi Kosovën më 16 e 17 gusht.

“Unë ju ftoj të gjithëve të keni besim tek institucionet e Kosovës dhe tek këshillat e partnerëve tanë euroatlantikë,” shkroi Thaçi, duke i quajtur të rreme pretendimet e atyre që kundërshtojnë marrëveshjen.

Sipas Thaçit se ratifikimi i marrëveshjes është interes shtetëror “e kanë kuptuar shumica dërmuese e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët kanë shprehur zotimin e tyre se do ta votojnë marrëveshjen pavarësisht kërcënimeve dhe shantazheve”.

Seanca kur në Kuvend do të shkojë për ratifikim demarkacioni është caktuar më 1 shtator. Atë ditë Lëvizja “Vetëvendosje” ka paralajmëruar protestë.

Më 14 gusht analisti Driton Selmanaj tha për KALLXO.com se mbajtja e seancës së demarkacionit u shty deri më 1 shtator për shkak të ardhjes së Biden-it dhe mungesës së numrit të 80 votave të deputetëve që duhet për të kaluar në Kuvend marrëveshja për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

http://kallxo.com/selmanaj-ratifikimi-demarkacionit-u-shty-per-biden/

Kjo marrëveshje përveç nga opozita po kundërshtohet, ose konsiderohet e dyshimtë edhe nga disa deputetë të koalicionit qeveritar.