Presidenti Hashim Thaçi | Foto; ZKM

Thaçi: Raportet Kosovë-Serbi Më Nuk Janë Kërcënim për Sigurinë

Shteti ynë është një rast i mirë për të mësuar leksione për bashkësinë ndërkombëtare, ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e dytë të Seminarit të 93-të ROSE-ROTH të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, nikoqir i të cilit është Kosova.

Për dallim nga 17 vite më parë, kur ishim arenë konflikti, presidenti Thaçi tha se Kosova është vend i paqes dhe i fqinjësisë së mirë.

Presidenti tha se Kosova ka ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit dhe i është gëzuar anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe përafrimit të Malit të Zi me Aleancën Veri-Atlantike.

“Para 17 viteve Kosova dhe Serbia ishin vende në konflikt, popujt tanë ishin të armiqësuar. Tani kemi një pamje tjetër. Me Serbinë kemi filluar dialogun dhe si rezultat i kësaj kemi arritur që të shohim njëri-tjetrin si fqinj”, tha Thaçi.

“Falë bashkëpunimit sot marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë më nuk janë kërcënim për sigurinë në rajon. Përmirësimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka ndikuar edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera”, tha po ashtu presidenti i Kosovës, duke përmendur me këtë rast vizitën e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd.

Në fjalën e tij, në hapje të ditës së dytë të Seminarit, presidenti Hashim Thaçi foli edhe për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. “Përvoja që kemi tani na bën të jemi optimistë“, tha ai.

Presidenti vlerësoi se është qenësore për rajonin që BE të mos vonohet me integrimin e vendeve të rajonit.

Më tej, presidenti Thaçi vlerësoi se Kosova ka qenë e suksesshme ndaj radikalizmit dhe terrorizmit. Ai përmendi faktin se kohëve të fundit nuk ka asnjë qytetar të Kosovës që po shkon drejt zonave të konfliktit.

I vetmi qëllim dhe vizion i Kosovës, sipas presidentit Thaçi, është integrimi në BE, në strukturat euroatlantike dhe NATO.

“Ne nuk e kemi asnjë aspiratë as si Kosovë e as si Shqipëri për ndryshimin e kufijve, por kemi hapjen e tyre sipas standardeve evropiane”, tha ai.

Sa i përket marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, presidenti tha se beson se ajo Marrëveshje është e saktë dhe e drejtë.

“Ky më tepër është një problem i paqenë. Pavarësisht kësaj ne kemi raporte të shkëlqyera me Podgoricën. Njerëzit në Kosovë më tëpër e duan liberalizimin e vizave dhe integrimin se zërat e shkëputur e të paqëndrueshëm”, tha ai.