Presidenti Hashim Thaçi dhe Zëvendësndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee - Foto: Facebook

Thaçi Premton Proces ‘Transparent’ për Transformimin e FSK-së

Në një drekë pune me Zëvendësndihmës-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar rolin vendimtar të ShBA-së për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor.

Lidhur me këtë takim, presidenti Thaçi tha se me zyrtarin e lartë amerikan kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit bilateral.

“Ne u pajtuam për veprimet konkrete drejt realizimit të prioriteteve kryesore për Kosovën, që ndërlidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, fillimin e punës për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës, nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës”, ka shkruar presidenti në profilin e tij në “Facebook”.

ShBA-ja është dhe gjithmonë do të mbetet partneri kryesor strategjik në rrugën tonë euroatlantike, shkroi po ashtu Thaçi.

Projektligji për FSK-në që ka për qëllim forcimin e mandatit të kësaj force i është dorëzuar më 7 mars 2017 nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

http://kallxo.com/thaci-ia-dorezon-veselit-projekt-ligjin-per-fsk-ne/

Por, ky propozim ishte kundërshtuar nga ShBA dhe NATO.

Krijimin e Ushtrisë vetëm përmes Ligjit e kritikoi edhe sot ambasadori amerikan, Greg Delawie.

http://kallxo.com/shba-e-shqetesuar-me-projektligjin-e-ri-per-fsk-ne/

http://kallxo.com/nato-kundershton-idene-e-thacit-per-fsk-ne/