Thaçi: Potenciali i Gruas Kosovare Është Shumë më i Madh

“Nuk mjafton vetëm një grua kryetare dhe nuk mjaftojnë vetëm 30 për qind të karrigeve obligative, sepse potenciali i gruas kosovare është shumë më i madh”, tha presidenti Thaçi në hapje të "Javës së Gruas".

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova ka bërë progres në zhvillimin e barabartë të gruas dhe burrit, veçanërisht në aspektin profesional.

NDËRLIDHUR

Këtë konstatim presidenti e arsyetoi me faktin se Kosova është shteti i parë në Ballkan që në krye të forcave të armatosura kishte një femër.

“Ne jemi shteti i parë në Ballkan që ka pasur komandantin suprem të FSK-së një grua, z. Atifete Jahjaga, të cilën gjithmonë  e kam përmendur si shembull të suksesit të luftës për të drejta dhe përfaqësim të barabartë gjinor”, tha ai.

Në hapje të “Javës së Gruas”, presidenti Thaçi përmendi edhe suksesin e kryetares së Komunës së Gjakovës. “Gjithashtu për mua ka qenë mbresëlënëse fitorja e jashtëzakonshme e një kandidateje, Mimoza Kusarit, në një betejë të fuqishme politike në Gjakovë”, shtoi presidenti.

Megjithatë, duke folur për reformën elektorale dhe organizimin e zgjedhjeve, presidenti Thaçi ka thënë se nuk mund t’i mbyllim sytë para faktit që brenda listave ka akuza të mëdha për ndikime dhe për manipulime, ku viktimat më të mëdha janë pikërisht femrat.

“Nuk mjafton vetëm një grua kryetare dhe nuk mjaftojnë vetëm 30 për qind të karrigeve obligative, sepse potenciali i gruas kosovare është shumë më i madh”, ka thënë ai.

Presidenti ka folur edhe për pjesëmarrjen e grave në sektorin e sigurisë dhe për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

“Edhe këtu mendoj se zëri i gruas është i nevojshëm. Sektori i sigurisë nuk është i plotë pa pasur të përfshirë edhe zërin e gruas. Janë nënat e Kosovës ato që kërkojnë siguri për djemtë e tyre, si dhe janë nënat dhe gratë kosovare, pavarësisht etnive, ato që duhet të jenë kontribuuese në arkitekturën e sigurisë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Gjithashtu, presidenti Thaçi ka thënë se pjesëmarrja e grave në tregun e punës është ende papranueshëm e ulët.

Ndërsa, ambasadori amerikan, Greg Delawie tha se kur gratë fuqizohen për të marrë pjesë pa frikën e dhunës apo kërcënimit, ato mund të jenë më të efektshme në komunitetet tona.

“Dhe kur gratë kanë zë më të fuqishëm atëherë vetë institucionet do të jenë më të përgjegjshme për nevojat e komunitetit në përgjithësi”, theksoi ambasadori i ShBA-së.

Kurse, Shari Bryan, zëvendëspresidente e Institutit Nacional Demokratik, citoi ish-Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila ka thënë: “zhvillimi pa demokraci është problem, por demokracia pa gra është e pamundur”.

“Java e Gruas” është një ngjarje vjetore që ka filluar si pilotprojekt në vitin 2012 dhe organizohet nga Instituti Nacional Demokratik me mbështetje të USAID-it.

Redaktoi: Naser Sertolli

20 Mars 2017 - 17:10

Liridona Ademaj 20/03/2017 - 17:10
NDËRVEPRIMI0