Hashim Thaçi e Wess Mitchell - Foto: Facebook

Thaçi: Po Hyjmë në Fazën Finale të Normalizimit të Raporteve me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se bisedimet për normalizimin e raporteve finale me Serbinë po hynë në fazën finale.

Këtë koment, presidenti Thaçi e ka bërë në një postim në profilin e tij në “Facebook”, të cilin e ka shoqëruar me dy fotografi me Ndihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit, Wess Mitchell.

Presidenti Thaçi po qëndron në ShBA për, siç ka thënë, koordinimin e procesit të dialogut me Serbinë.

Ky është postimi i plotë i presidentit në profilin e tij në “Facebook”:

“Ditëve të fundit kam zhvilluar konsulta intensive me partnerët tanë strategjikë.

Në Uashington, Londër, Berlin, Paris me qëllim të bashkërendimit të agjendës euro-atlantike për Kosovën.

Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin në Parlamentin e Kosovës, do të dinamizojë dhe qartësojë agjendën tonë, dhe është argument shtesë për miqtë dhe partnerët tanë.

Përderisa po hyjmë në fazën finale të normalizimit të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, jemi të bekuar me mbështetjen e palëkundshme të aleatëve tanë strategjikë”.