Presidenti Thaçi në ceremoninë e përkujtimit të 376 civilëve shqiptarë, të vrarë nga forcat serbe më 27 prill 1999 - Foto: Facebook

Thaçi: Përulemi me Respekt Para Secilit Dëshmor e Martir

Presidenti Hashim Thaçi, në Ditën e Personave të Pagjetur të Kosovës tha se çdo dëshmor dhe martir meriton të respektohet.

“Dita ndërkombëtare e personave të pagjetur në botë shënohet me 30 gusht por në Kosovë me të drejtë shënohet me 27 prill, në ditën kur forcat ushtarake serbe vranë e masakruan 377 shqiptarë”, tha Thaçi para të pranishmëve në përvjetorin e 18-të të masakrës më të madhe të kryer nga forcat serbe në Kosovë, në Mejë.

Ai shtoi se themel i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës është gjaku i dëshmorëve dhe martirëve.

“Liria dhe pavarësia e Kosovës në themelet e saj ka gjakun dhe jetët e dëshmorëve e martirëve të Kosovës. Ne përkulemi me respekt para secilit dëshmor dhe martir”, theksoi presidenti.

Ndërsa, kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila, tha se ata që duhet të përgjigjen për masakrën e Mejës nuk kanë dalë para drejtësisë.

“Sot 18 vite më pas kujtojmë ata që ishin të pambrojtur, që kishin mbetur të pambrojtur në mëshirën e të pamëshirshmëve. Sot përgjegjësit e kësaj masakre nuk janë ende në bankën e drejtësisë, në atë bankë ku njerëzit tanë shpesh u ndaluan padrejtësisht dhe fatkeqësisht ende na rrinë në kokë”, tha Kusari- Lila.

Ceremoninë përkujtimore KALLXO.com e transmetoi LIVE:

Kurse, Bajram Qerkini, përfaqësues i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Pagjetur, kritikoi institucionet shtetërore se nuk kanë bërë presion sa duhet te ndërkombëtarët për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Kërkojmë që nga presidenti deri te drejtuesit e pushtetit lokal që të na ndihmojnë të gjejmë fëmijët tanë ku janë, në çfarë gjendje janë, kush mundet me na ndihmu. Kemi kërku memorial këtu por kemi kërku memorial të jetë edhe në qendër të Prishtinës”, tha Qerkini.

http://kallxo.com/familjaret-e-te-pagjeturve-akuzojne-institucionet-per-neglizhence/